Në Romë u kremtua 15-vjetori i lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike Vatikan - Shqipëri
(8.9.2006 RV)Dje në Kishën e Shën Gjonit të Malvës në Romë u organizua ceremonia
për nder të XV vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së
Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Takimi ishte organizuar nga Ambasada e Shqipërisë
pranë Vatikanit, me ambasador z. Zef Bushati, i cili në përfundim të mandatit të tij
largohet, dhe nga rektori i kishës së shqiptarëve të Shën Gjonit të Malvës Dom Paskuale
Ferraro. Ishin të pranishëm Kardinali Ivan Diaz, i pari nunc apostolik në Shqipëri
pas rënies së diktaturës komuniste, zëvendësministri i jashtëm i qeverisë shqiptare
z. Anton Gurakuqi, përfaqësuesi i ambasadës shqiptare në Romë z. Kolec Topalli etj. Në
fjalën përshëndetëse zëvendësministri Gurakuqi shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj
Selisë së Shenjtë gjatë këtyre 15-vjetëve për mbështetjen dhënë popullit shqiptar
në rrugën e demokracisë e në veçanti në zgjidhjen e krizës së Kosovës. Ndërsa z.
Kolec Topalli në përshëndetjen e tij vuri në dukje rrënjët e krishtera të popullit
shqiptar, pasardhës i ilirëve, dëshmuar nga vetë Shën Pali, rrënjë të përforcuara
nga Papa Klementi XI, me origjinë arbëreshe dhe Nënë Tereza. Në vazhdim, gjatë
homelisë së Meshës shejte, të pranishëmve iu drejtua Kardinali Ivan Diaz. I cili solli
ndërmend çastet e tija të para të vizitës në Shqipëri e nnë veçanti në Shkodër: “Popullin
shqiptar e gjeta të demoralizuar dhe katedralen e Shkodrës të mbushur në beton.” Më
pas në fjalën e tij kardinali Ivan Diaz tha se sheh për popullin shqiptar një të ardhme
të ndritur. “Ndër gjërat e paçmuara, që kam marrë me vete nga Shqipëria, është
një skulpturë e Gjergj Kastriotit dhe një kryq i drunjtë gdhendur nga një mysliman
— dëshmi e shpirtit vëllazëror, që ekziston ndër bashkësitë e ndryshme të këtij vendi.”
- vijoi në homelinë e vet kardinali Diaz. “Lutemi që Zoti t’i japë sa më shumë
suksese këtij populli. Një nga “sukseset” e tija moderne më të fundit ishte Nënë Tereza.”
- nuk harroi të vërë në dukje nunci i parë apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri,
Kardinali Ivan Diaz. Pas meshës, mbrëmja për të ftuarit vijoi me një koncert me
muzikë dhome.