2006-09-07 17:19:47

“Tharmi i Ungjillit”: vizioni i kardinalit Sodano mbi rolin e Selisë së Shenjtë në bashkësinë ndërkombëtare në një përmbledhje reflektimesh.


(7.9.2006 RV)“Tharmi i Ungjillit: Prania e Selisë së Shenjtë në jetën e Popujve”: kështu titullohet përmbledhja e kujtimeve dhe reflektimeve të kardinalit Angjelo Sodano, përmes së cilës shpaloset vizioni i Tij mbi rolin e Selisë së Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Libri u paraqit sot pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, pak ditë para se kardinali të përfundojë detyrën e lartë të Sekretarit të Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Në Konferencë morën pjesë drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, imzot Gabriele Gjordano Kaçia, këshilltar për Çështjet e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe përfaqësues të tjerë të Kishës, të kulturës e të diplomacisë.
Libri, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, përmbledh një seri ndërhyrjesh me karakter diplomatik dhe kishtar mbajtur me raste e në vende të ndryshme nga kardinali Sodano.
Gërshetohen në të reflektime teologjike dhe shpirtërore mbi rolin e Kishës në rrethana të ndryshme ndërkombëtare që, të marra së bashku, përbëjnë sintezën e vizionit të kardinalit Sodano mbi praninë dhe rolin e Selisë së Shenjtë në jetën e popujve.
Simbolike, ndonëse e rastësishme, paraqitja e këtij libri pikërisht në ditën kur përkujtohet XV vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Leximi i tij do të jetë ndihmesë e çmuar për të krijuar një vizion të saktë edhe mbi praninë e Selisë së Shenjtë në jetën e bashkësisë së shqiptarëve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.