2006-09-07 17:18:56

Sot u përkujtua XV vjetori i ngritjes së Delegacionit Apostolik në Shqipëri në rang Nunziature, përmes vendimit përkatës të Gjon Palit II që mban datën 7 shtator 1991.


(7.9.2006 RV)Kjo ngjarje, që shënon fillimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, u kremtua me një veprimtari shpirtërore dhe kulturore organizuar nga përfaqësia diplomatike e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Veprimtaria u mbajt në Kishën romake të Shën Gjonit të Malvës në Trastevere, seli baritore e bashkësisë së shqiptarëve në Itali.
Mbrëmja përkujtimore u hap në orën 17. 00 me një reflektim kushtuar temës “Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë”. Ishin të pranishëm ambasadori Zef Bushati, përfaqësues shtetëror të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë e të Kishës italiane, ndërmjet të cilëve, Imzot Pietro Parolin, zevendës-sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij për marrëdhëniet me shtetet; monsinjor Eleuterio Fortino, zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve; ipeshkvi i Ternit, imzot Vinçenco Palia, heparku arbëresh i Ungros, imzot Ercole Lupinaçi dhe personalitete të tjera kishtare e laike. Natyrisht ishin të pranishëm edhe shumë emigrantë shqiptarë me banim në Itali e sidomos në Romë.
Më pas u mbajt kremtimi eukaristik i kryesuar nga Kardinali Ivan Dias, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Nunci i parë Apostolik në Republikën e Shqipërisë.
Veprimtaria përfundoi me një koncert të ansamblit instrumental “Serafino Akuilano” dhe të “Korales Nëntëdhjetenëntë”.
Viti XVI i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë do të fillojë me një përfaqësues të ri.
E në sa ndërrohen përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë pranë Vatikanit, interesimi i Selisë së Shenjtë për fatet e Shqipërisë së vogël dhe të popullit shqiptar mbetet i pandryshueshëm.
Mjafton të kujtojmë se më 5 dhjetor 1997, kur profesor Jul Bushati paraqiste letrat kredenciale, vendi kalonte një periudhë tepër dramatike, E Papa Gjon Pali II, duke i drejtuar fjalën, i pati kujtuar se i ndiqte me vëmendje të madhe ngjarjet nëpër të cilat përshkohej demokracia e re shqiptare, në përpjekjen për t'u integruar në familjen e madhe të popujve të Evropës. Papa pati shprehur mendimin se kriza e asokohëshme parlametare, duhet ta nxiste si qeverinë, ashtu edhe opozitën për të ecur në rrugën e dialogut e të bashkëpunimit, duke iu shmangur tundimit të ndeshjeve me kundërshtarin politik, së pari sepse një sjellje e tillë është moralisht e papranueshme, por edhe pse dëmton rëndë fuqizimin e dialektikës korrekte të demokracisë për zhvillimin e përgjithshëm të vendit e të shtetasve të tij.
Papa vijoi t'i kujtonte ambasadorit shqiptar thirrjet e herë pas herëshme të ipeshkvijve të Shqipërisë drejtuar popullit, ftesat për të hequr dorë nga urrejtja e hakmarrja e për të ecur në rrugën e pajtimit me Hyjin e me të afërmin, si rrugë kryesore për një ardhmëri paqeje e pajtimi, nxitjen për rivendosjen e rendit publik, për t'u kthyer qytetarëve sigurinë dhe besimin në institucionet e ligjshme shtetërore.
Ati i Shenjtë pati sintetizuar edhe veprimtaritë kryesore të Kishës katolike, veprimtari që kanë për qëllim ungjillëzimin dhe përparimin e popullit shqiptar, përmes hapjes së kishave, ngritjes së qëndrave baritore, themelimit të shkollave, ambulancave, të rrjetit të shërbimit të Karitasit. I pati kujtuar gjithashtu se Shqipëria është karakterizuar gjithnjë nga një klimë tolerance fetare ndërmjet katolikëve, myslimanëve e ortodoksëve dhe pati uruar që kjo frymë të thellohet, duke siguruar bashkëpunimin e të gjithëve për rindërtimin material e shpirtëror të Shqipërisë.
Duke rikujtuar sot, pas dhjetë vjetësh, fjalët e Papës, ndërsa përgatitet për paraqitjen e kredencialeve përfaqësuesi i pestë diplomatik shqiptar pranë Selisë së Shën Pjetrit, vërejmë se një pjesë e mirë e problemeve kombëtare, prekur nga Gjon Pali II mbeten aktuale, të pazgjidhura, në mos po të ndërlikuara më tutje, ashtu siç vërejmë edhe se premtimi i Atit të Shenjtë dhënë ambasadorit Bushati më 5 dhjetorin e 1997-tës, lidhur me gatishmërinë e Kishës katolike për bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në atdhe e në mërgim, për t'u siguruar të gjithëve kushte të denja jetese e të drejta të barabarta, është bërë e vijon të bëhet realitet nën papninë e Benediktit XVI.
Ndërsa më 10 maj 2002, kur Shkelqësia e Tij, zoti Zef Bushati paraqiti letrat kredenciale në Vatikan, Gjon Pali II shprehu interesimin e tij të thellë për Shqipërinë, për rindërtimin e saj demokratik dhe dëshirën për t'u integruar në Evropë, pa harruar trashëgiminë e pasur kristiane, mishëruar në dy bij të ndritur të kësaj toke: Gjergj Kastrioti-Skënderbegu dhe Nënë Tereza.
Në se bëhen përpjekje për krijimin e bashkimit të fuqishëm kombëtar – pati theksuar Papa - duhet që çdo qytetar të besojë në vlerat e demokracisë së rikthyer dhe në dobitë e harmonisë shoqërore, duke ndihmuar për fuqizimin e strukturave e të institucioneve. Institucionet, nga ana e tyre, duhet të jenë të afta t'u bëjnë njerëzve ato shërbime për të cilat kanë plotësisht të drejtë.
Pastaj Papa i kujtoi ambasadorit Bushati lidhjet shumëshekullore të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, njohjen dhe besimin reciprok si dhe rivendosjen e bashkëpunimit, pas periudhës së trishtuar të diktaturës komuniste.
Në vijim Papa shprehu mendimin se Shqipëria, vendosur në një kuadër kulturor, historik e gjeogafik evropian, ka plotësisht të drejtë të hedhë vështrimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Populli shqiptar dëshiron të luajë një rol më aktiv ndërkombëtar, por për këtë duhet të plotësojë disa kushte: së pari duhet të ketë më shumë kohezion e stabilitet të brëndshëm, gjë që do t'i siguronte një vend më autoritar ndërmjet kombeve, e së dyti, duhet vijojë t'i kushtojë vëmendje të dorës së parë shërimit të plagëve e rënda, hapur nga vitet e gjata të tiranisë.
Ati i Shenjtë i shprehu ambasadorit të ri vullnetin e mirë të Selisë së Shenjtë e cila, brënda mundësive do të vijonte ta mbështeste, siç ka bërë gjithnjë, popullin shqiptar në përpjekjet e tij drejt progresit e paqes, duke i kujtuar edhe marrëveshjen e 23 marsit 2002 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve reciproke.
Kisha, ndonëse ka një mision thellësisht shpirtëror, është e vetëdijshme se duhet të dialogojë vazhdimisht me shoqërinë, duke i kujtuar se vlerat etike e morale duhet të jenë pikëmbështetje për çdo lloj veprimtarie. Të krishterët janë gati të vijojnë bashkëpunimin e tyre me konfesionet tjera fetare tradicionalisht të pranishme për ndërtimin e një vendi të lirë e të begatë – pati përfunduar Papa Gjon Pali II.
Me largimin e ambasadorit Bushati dhe emërimit të ambasadorit të ri, zotit Rrok Logu, hapet një faqe e re e diplomacisë shqiptare pranë Selisë së Shenjtë, faqe që do të shkruhet nën papninë e Benediktit XVI, në gjurmët e Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.