2006-09-06 17:51:48

Nesër do të përkujtohet XV vjetori i ngritjes së Delegacionit Apostolik në Shqipëri në rang Nunciature, përmes vendimit përkatës të Gjon Palit II, që mban datën 7 shtator 1991.


(6.9.2006 RV)Kjo ngjarje do të kujtohet me një veprimtari shpirtërore dhe kulturore organizuar nga përfaqësia diplomatike e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Veprimtaria do të mbahet në Kishën romake të Shën Gjonit të Malvës në Trastevere, seli baritore e bashkësisë së shqiptarëve në Itali.
Mbrëmja përkujtimore do të hapet në orën 17. 00 me një reflektim kushtuar temës “Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë”. Do të jenë të pranishëm ambasadori Zef Bushati dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj si dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë e të Kishës italiane, ndërmjet të cilëve, Imzot Pietro Parolin, zevendës-sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij për marrëdhëniet me shtetet; monsinjor Eleuterio Fortino, zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve; ipeshkvi i Ternit, imzot Vinçenco Palia, heparku arbëresh i Ungros, imzot Ercole Lupinaçi dhe personalitete të tjera kishtare e laike. Natyrisht do të jenë të pranishëm edhe shumë emigrantë shqiptarë me banim në Itali e sidomos në Romë.
Më pas do të mbahet kremtimi eukaristik i kryesuar nga Kardinali Ivan Dias, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, nunci i parë Apostolik në Republikën e Shqipërisë.
Veprimtaria do të përfundojë me një koncert të ansamblit instrumental “Serafino Akuilano” dhe të “Korales Nëntëdhjetenëntë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.