2006-09-01 17:55:26

Për të gjetur fytyrën e Krishtit duhet të kesh një zemër të dlirë:
Kështu tha sot paradite Benediktit XVI gjatë shtegtimit të Tij në shenjtëroren e Fytyrës së Krishtit në Manoppello në Abruzzo të Italisë.


(01.9.06 RV) Papa përsëriti thirrjen për mbrojtjen dhe ruajtjen e krijimit, të mjedisit.Gjatë vizitës së sotme në Shenjtëroren e Fytyrës së Krishtit, Papa nënvizoi se për të njohur Fytyrën e Krishtit tek vëllezërit tanë duhet të kemi “duar dhe zemra të dlira”. Vetëm kështu mund të bashkohemi me Të. Vizita që zgjati gjithësej dy orë, u shoqërua nga shfaqje të haresë së besimtarëve.
I pritur nga autoritetet politike lokale dhe nga kryeipeshkvi i Chieti-Vastos, Imzot Bruno Forte dhe nga rektori i Shenjtërores Atë Carmine Cuccinelli , Papa përshkoi në këmbë rrugën drejtë Shenjtërores duke shtrënguar duar e besimtarëve, që në kor i drejtonin urime mirëseardhjeje. Para sheshit, Ati i Shenjtë deshi të përshëndesë menjëherë besimtarët duke nënvizuar se Kisha është me të vërtetë një familje e madhe, dhe se kjo dëshmohet nga ngohtësia, nga entuziazmi me të cilin u prit. Pastaj Ati i Shenjtë hyri në Shenjtërore.
Pas adhurimit të Shenjtnueshmit Sakrament, ngjarja që bashkësia abruxese dhe Etërit Kapuçinë, në veçanti e pritnin prej kohësh: Ati i Shenjtë u ul për lutje për disa minuta përpara Fytyrës së Krishtit. Një çast i një përshpirtërie të madhe dhe të thellë. Dhe që e mallëngjeu - e tha vetë - Imzot Bruno Forten. Një ngjarje që me të drejtë mund të quhet historike. Për herë të parë, në fakt, një Papë shkonte te Shenjtërorja për shtegtim. Dhe kjo merr një domethënie të dyfishtë, meqë këtë vit është 500-vjetori i të shfaqurit të pëlhurës në Manoppello. Në fjalimin e tij drejtuar klerit të atyshëm, Ati i Shenjtë falenderoi Imzot Forten, që e quajti “mik prej shumë vitesh” si edhe teolog të shquar. Papa pohoi se meshtarët dhe rregulltarët i quan si njerëz “të dashuruar pas Krishtit, të tërhequr prej Tij dhe të angazhuar, që ta bëjnë jetën e tyre një kërkim të vazhdueshëm të Fytyrës së Tij të Shenjtë. Një det duartrokitjesh kur Papa përshëndeti “seminaristët, e ardhmja e Kishës ndër ne”. Pastaj Papa pohoi me forcë se në zemrën e Krishtërimit është takimi me Krishtin, me dashurinë e Tij:


“Kush takohet me Jezusin, kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin e jetës, provon personalisht sikur ka bërë edhe Ai se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë dhe vdes sjell “shumë fryt”.
Rruga e Krishtit ishte thirrja e Papës, është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes”. Një përvojë e jashtëzakonshme, nënvizoi Ati i Shenjtë, e përjetuar nga dy apostujt e parë, që e ndoqën Jezusin në lumin Jordan. “Kush jeton në Zotin që në këtë tokë”, vuri në dukje Papa, “tërhiqet, shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij”. Dhe këtu Papa tregoi shenjtorët si shembujt të ndritur për t’u ndjekur:


“Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit dhe nevojtarët, fytyrën e atij Zoti që aq gjatë e kanë kundruar me dashuri në lutje. Ata janë për ne shembuj nxitës për t’u imituar; na sigurojnë se nëse ecim me besnikëri kësaj rruge, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë psalmisti – do të ngopemi me praninë e Zotit.”


Papa i drejtoi kështu fjalë nxitëse meshtarëve dhe rregulltarëve e në mënyrë të posaçme përshëndeti seminaristët duke u thënë: “Mos lejoni që ndonjë gjë tjetër t’ju tërheqë përveç Krishtit dhe nga dëshira për t’i shërbyer Kishës së Tij”. Në vijim bëri Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të kërkojnë gjithmonë – në shtegtimin tonë tokësor – fytyrën e Krishtit, për të gjetur lavdinë e amshuar. E pastaj i kushtoi një mendim të veçantë edhe Mbrojtjes e Shpëtimit të Krijimit, që sot u kremtua nga Kisha italiane:
“Na ndihmoftë Nëna e Krijuesit të respektojmë edhe natyrën, dhuratë e madhe e Zotit që këtu mund të admirojmë duke shikuar malet e mrekullueshme, që na rrethojnë. Porse kjo dhuratë, është gjithmonë përballë rreziqeve serioze të ndotjes urbane dhe prandaj duhet mbrojtur dhe tuteluar.”
Nga ana e tij, ipeshkëvi i vendit Imzot Bruno Forte, në fjalën përshëndetëse i shprehu Papës ndjenja mirënjohjeje të përzemërta në emër të të gjithë besimtarëve të dioqezës për këtë vizitë e takim atëror që përjetuan sot me vizitën e parë të një pape në këtë tempull të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.