2006-08-28 18:51:45

Atentate terroriste në Irak, Afganistan dhe Turqi


(28.8.2006 RV)Një kamikaze me autobombë shkaktoi 13 të vdekur sot në Bagdad. Atentati ndodhi përpara Ministrisë së brendshme ku ishin mbledhur përfaqësues të policisë nga i gjithë Iraku. Po ashtu në përleshjet me rebelët e Moktada Al Sadrit, u vranë 25 ushtarë irakianë si edhe një numër i papërcaktuar civilësh. Edhe nga radhët e ushtrisë amerikane pati viktima prej luftimeve me rebelët. Dje u vranë 6 ushtarë amerikanë.

Edhe në Afganistan pati atentat me kamikaze. Një person u hodh në erë në mes të një turme me njerëz në tregun e Gahut në jug të vendit. Pati 17 të vdekur dhe 47 të plagosur, 17 prej të cilëve fëmijë. Objektivi ishte vrasja e një ish-komandanti të policisë të regjimit komunist.

Turqia u trondit sërish nga atentate të reja. Dje dhe sot shpërthyen tri bomba në qytetin bregdetar Marmaris, që në këtë periudhë ka shumë vizitues. Askush nuk e ka marrë përsipër deri më sot autorësinë e atentateve, por autoritetet mendojnë se pas tyre fshihet dora e partisë punëtore kurde.







All the contents on this site are copyrighted ©.