2006-08-23 19:02:58

Kisha, ende sot persekutohet në botë, për shkak të fesë në Krishtin. Këtë tha Papa në audiencën e përgjithshme në Vatikan, duke vijuar katekizmin kushtuar figurave të Apostujve.


(23.8.06. RV) Vuajtjet e Kishës në botë si mundimet e Krishtit rrëfejnë egërsinë e njeriut por edhe ndërhyrjen shpëtimtare të Zotit në histori: kështu tha mes tjerash Papa Benediktit XVI në katekizmin e mbajtur sot gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan.
Me mijëra besimtarë dhe shtegtarë - rreth shtatë mijë – nga gati 15 vende të së gjithë botës u mblodhën sot në sallën Pali VI në Vatikan për të dëgjuar katekizmin e Papës, i cili erdhi paradite me helikopter nga rezidenca verore e Castel Gandolfos pikërisht për audiencën e përgjithshme.
Kisha nuk i meriton sigurisht disa “vështirësi të forta, moskuptime dhe qëndrime armiqësore” “që edhe sot... i pëson e vuan në shumë pjesë të botës”, “ashtu si edhe Jezusi nuk i meritoi mundimet e veta.” Këtë vuri në dukje Benedikti XVI duke komentuar librin e Zbulesës së Apostullit “Gjonit, vegimtarit të Patmosit”, emri i ishullit të Egjeut, ku Gjoni u gjend “i mërguar për shkak të Fjalës së Zotit dhe të dëshmisë së Jezusit”.
Dhe pikërisht në Patmos – kujtoi Papa –“Gjoni pati vegimet e mëdha dhe dëgjoi mesazhe të jashtëzakonshme, që do të ndikonin jo pak në historinë e Kishës dhe të krejt kulturës perëndimore. Në sfond të librit është përvoja dramatike e Kishave të Azisë, e të krishterëve të persekutuar, të cilëve Gjoni “u bën thirrje të qëndrojnë të patundur në fe dhe të mos idenifikohen me botën.” Gjoni zbulon “duke filluar që nga vdekja dhe ngjallja e Krishtit kuptimin e historisë njerëzore, atje ku mundimet “tregojnë qoftë egërsinë e njeriut, kur e lë veten në fuqinë e së keqes, qoftë drejtimin që u jep Zoti ngjarjeve në një mënyrë të epërme.”
Ndër vegimet themelore të Gjonit është ajo e Qengjit, “që është i prerë në fyt e megjithëkëtë rri drejt në këmbë” në fronin “ku është ulur edhe Zoti vetë” që do të thotë se Jezusi, në këtë botë është një Qengj i pambrojtur, i vrarë nga dhuna por prapseprap, i ngjallur fiton mbi vdekjen dhe është pjesëmarrës në [ushtrimin] e fuqisë hyjnore.
“Dhe kështu vegimtari don të na thotë: «Kini besim te Jezusi, mos kini frikë nga forca kundërshtare e persekutimeve. Qengji i plagosur, i vdekur, fiton».”

Vjen pastaj vegimi i “Gruas që lind një fëmijë Mashkull dhe ai plotësues i Dragoit” “rrëzuar nga qiejt por ende tepër i fuqishëm”. Gruaja – shpjegoi Ati i Shenjtë – përfaqëson Marinë dhe gjithë Kishën, “që lind në çdo kohë, me dhimbje të madhe, gjithmonë Krishtin,” dhe “është gjithnjë e kërcënuar nga forca e Dragoit”. “E pambrojtur, duket e brishtë” e persekutuar por e mbrojtur prej ngushllimeve të Zotit.
“Dhe në fund kjo grua fiton dhe jo dragoi. Kjo është profecia e madhe e këtij libri që na jep shpresë”.
Vegimtari i Patmosit u hap kështu të krishterëve një horizont shkëlqimplotë, që kulmon me vegimin e Jeruzalemit qiellor, ku “nuk do të ketë më vdekje, as jaz, as ofshamë, as mundim, sepse gjërat e përparshme kanë kaluar”.
Në fund lutja e Papës e përkthyer në aramaisht “Marana tha”
Me Vegimtarin e Patmosit, me Shën Palin, me Krishtërimin që lindet lutemi edhe ne: “Eja, Jezus”! eja e shndërroje botën. Eja që sot dhe fitoftë paqja. Ashtu kjoftë”.
Në përshëndetjet e zakonshme mbas katekizmit, në gjuhët e ndryshme, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë grupeve të shtegtarëve dhe të gjithëve u dha bekimin e tij apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.