Intervista e Papës BXVI – pjesa 8-të. Sot vështrimi i Atit të Shenjtë Benediktit të
XVI mbi Vlerat e krishtëra në shoqërinë e sotme bashkëkohore
(23.8.06 RV)Dëgjues të nderuar, Vijojmë me paraqitjen e intervistës që Papa
Jozef Racinger më 5 gushtin e kaluar i dha disa televizioneve gjermane e radio vatikanit.
Në pjesën e sotme do të dëgjojmë opinionin e e Atit të Shenjtë Benediktit të XVI mbi
vlerat e krishtëra në shoqërinë e sotme bashkëkohore dhe qëndërimet e Kishës para
një shoqërie të bazuar mbi racionalitetin e kulturën pa spiritualitet. Ja pyetja e
pastaj përgjigjia e Papës.
10) Pyetja: Është një argument që pjesërisht
është trajtuar, Ati i Shenjtë. Shoqëritë moderne në vendimet e rëndësishme përsa i
përket politikës dhe shkencës nuk udhëhiqen nga vlerat e krishtera dhe Kisha — këtë
e dimë prej anketimeve— konsiderohet më të shumtën, vetëm si një zë paralajmërues,
qortues apo edhe deri frenues. Kisha nuk duhet të dalë nga ky pozicion mbrojtjeje
dhe të marrë një qëndrim më pozitiv kundrejt të së ardhmes dhe ndërtimit të saj?
Benedikti
XVI: Do të thosha se në çdo rast kemi detyrën tonë të vëmë më mirë në dukje atë
çka ne e duam si të sigurt e pozitive. Dhe këtë, para së gjithash duhet ta bëjmë në
dialog me kulturat e tjera dhe me besimet, sepse kontinenti afrikan, zemra afrikane,
edhe zemra aziatike, mbetën të tronditura nga ftohtësia e racionalitetit tonë. Është
e rëndësishme të tregojmë se nga ne nuk vjen vetëm kjo. Është reciprokisht e rëndësishme
që bota jonë laike të kuptojë se feja e krishterë nuk është një pengesë, por përkundrazi
një urë për dialogun me botët e tjera. Nuk është e drejtë të mendohet se kultura
pastërtisht racionale, falë tolerancës së vet, mund t’u afrohet feve të tjera më lehtësisht.
Asaj i mungon kryesisht “organi fetar” e me të edhe pika ndërlidhëse duke u nisur
nga e cila dhe me të cilën të tjerët duan të hyjnë në kontakt e në marrëdhënie. Prandaj
duhet, e mund të dëshmojnë se pikërisht për shkak të ndërkulturalitetit në të cilin
jetojmë, racionaliteti i pastër, i shkëputur nga Zoti nuk është i mjaftueshëm, por
nevojitet një racionalitet më i gjerë, që e sheh Zotin në harmoni me arsyen, duhet
të tregojmë se feja e krishterë që është zhvilluar në Evropë, është edhe një mjet
për të bërë të bashkëderdhen e shkrihen arsyeja dhe kultura e për t’i mbajtur së
bashku në një unitet që përfshinë edhe veprimin. Në këtë kuptim besoj se kemi një
detyrë të madhe, të tregojmë, pra se kjo Fjalë, që ne posedojmë, nuk i përket — si
të themi — rrangallave të historisë, por është e nevojshme pikërisht sot.
11)
Pyetje :Atë i Shenjtë, të flasim për udhëtimet e Juaja. Ju jeni në Vatikan. Mbase
ju kushton të qenit larg nga njerëzit dhe ndarja nga bota, edhe këtu në mjediset shumë
të bukura të Castel Gandolfos. Por Ju pas pak dotë mbushni 80 vjetët. Ju mendoni,
me ndihmë të Zotit se do të mund të bëni përsëri shumë udhëtime? A keni një ide se
ç’udhëtime dotë donit të bëni. Në Tokë Shenjte, në Brazil? E dini qysh tani?
Benedikti
XVI: Të them të vërtetën nuk jam aq vetëm. Natyrisht janë muret – si të thuash
– që e bëjnë të vështirë hyrjen, por ka një “familje papnore”, çdo ditë ka shumë vizita,
veçanërisht kur jamë në Romë. Vijnë ipeshkvijtë, njerëz të tjerë, ka vizita shtetërore,
personalitetesh, që duan të flasin me mue edhe personalisht e jo vetëm për çështje
politike. Në këtë kuptim ka një shumëllojshëmëri takimesh dhe falë Zotit këto më dhurohen
vazhdimisht. Është e rëndësishme që selia e Pasardhësit të Pjetrit të jetë një vend
takimesh — apo nuk është kështu? Që nga koha e Gjonit XXIII, pastaj, lavjerrësi është
spostuar edhe në kahun tjetër: janë Papët ata që kanë filluar të bëjnë vizita. Duhet
të them që unë nuk ndihem aq i fortë sa të planifikoj në axhendën time shumë udhëtime
të tjera të mëdha, por ku këto më lejojnë të drejtohem me një mesazh, ku i përgjigjen
një dëshire të vërtetë, atje do të doja të shkoja, në atë “masë” që mundem. Diçka
është parashikuar. Në Brazil vitin e ardhshëm zhvillohet takimi i CELAM-it (Këshilli
Ipeshkvnor Latino-Amerikan) dhe mendoj se atje prania e ime do të jetë një hap i rëndësishëm,
kini parasysh, nga njëra anë situatën dramatike që Amerika e Jugut po përjeton dhe,
nga ana tjetër krejt forcën e shpresës që vepron në të njëjtnë kohë, në atë zonë.
Do të doja pastaj të shkoja në Tokë Shenjte, dhe shpresoj të mund ta vizitoj në kohë
paqeje, për të tjerat të shohim se çka rezervon Provanija Hyjnore.