2006-08-22 14:43:57

Sot: vështrimi i Atit të Shenjtë Benediktit të XVI mbi


(22.8.06 . RV)Dëgjues të nderuar, Vijojmë me paraqitjen e intervistës që Papa Jozef Racinger i dha disa televizioneve gjermane e radio vatikanit, më 5 gushtin e kaluar. Sot do të njihemi me vështrimin e Atit të Shenjtë Benediktit të XVI mbi të ardhmen e krishtërimit në Evropë e të ardhmen e Kishës. Ja pyetja që një ndër gazetarët gjermanë i bënë Papës.


Pyetje: Atë i Shenjtë, krishterimi është përhapur në gjithë botën duke filluar nga Evropa. Tash, shumë që merren me këtë temë thonë se e ardhmja e Kishës është te kontinentet e tjera. Është e vërtetë? Apo me fjalë të tjera, çfarë të ardhmjeje ka krishtërimi në Evropë, ku duket se po kthehet në një çështje private të një pakice?
Benedikti XVI: “Para së gjithash unë do të doja të shtoja një të dhënë. Në të vërtetë, siç e dijmë, krishtërimi ka lindur në Lindje të Mesme. Dhe për një kohë të gjatë zhvillimin e tij kryesor e pati atje dhe është përhapur në Azi shumë më tepër sesa mendojmë ne sot pas ndryshimeve që solli Islami.
Nga ana tjetër, pikërisht për këtë arsye boshti i tij është spostuar në mënyrë të ndjeshme drejt Perëndimit dhe Evropës, dhe Evropa — jemi krenarë për këtë dhe gëzohemi — e ka zhvilluar më tej krishterimin në përmasat e mëdha edhe intelektuale e kulturore. Por besoj se është e rëndësishme të kujtojmë të krishterët e Lindjes, duke qenë se tani ka rrezik që ata, që kanë qenë gjithmonë një pakicë e rëndësishme, të emigrojnë. Dhe ka rrezik që pikërisht këto vende të origjinës së krishterimit të mbesin pa të krishterë.
Mendoj se duhet të ndihmojmë shumë që ata të mbesin atje. Por tani le të vijmë tek pyetja e juaj. Evropa është bërë sigurisht qendra e krishterimit dhe të angazhimit të tij misionar. Sot kontinentet e tjera, kulturat e tjera, hyjnë me peshë të njëjtë në koncertin e historisë botërore. Kështu rritet numri i zërave të Kishës dhe kjo është gjë e mirë. Është mirë që të shprehen temperamente të ndryshme, dhantitë e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës, në mënyrë të veçantë të Amerikës Latine.
Të gjithë natyrisht preken nga fjala e krishterimit por edhe nga mesazhi shekullar i kësaj bote, që çon edhe në kontinentet e tjera provat dërrmuese të asaj që ne kemi përjetuar. Të gjithë ipeshkvijt e pjesëve të tjera të botës thonë: “Ne kemi ende nevojë për Evropën, edhe pse tani Evropa është vetëm një pjesë e një tërësie më të madhe.”
Ne jemi ende përgjegjës përsa i përket kësaj. Përvojat tona, shkenca teologjike që është zhvilluar këtu, krejt përvoja jonë liturgjike, traditat tona, edhe përvojat ekumenike, që kemi grumbulluar: krejt kjo është shumë e rëndësishme edhe për kontinentet e tjera. Prandaj duhet që ne sot të mos kapitullojmë duke thënë: “Ja, jemi vetëm një pakicë, prandaj le të përpiqemi së paku të ruajmë numrin tonë të vogël!”
Po, sigurisht duhet të ruajmë të gjallë dinamizmin tonë, të lidhim marrëdhënie shkëmbimi, në mënyrë që nga andej të na vijnë edhe forca të reja. Sot ka meshtarë indianë dhe afrikanë në Evropë, edhe në Kanada. Është interesante. Është pra kjo dhënie e marrje e ndërsjelltë. Por edhe nëse në të ardhmen do të jemi ata që “marrin”, do të na duhet, sidoqoftë, të mbesim të aftë të japim e të zhvillojmë në këtë vështrim guximin dhe dinamizmin e nevojshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.