2006-08-21 20:22:50

Papa:Të ruhemi prej aktivitetit të tepruar që e ngurtëson zemrën e t’i kushtojmë vëmendje lutjes e kundrimit.


(21.8.06 RV)Të ruhemi prej aktivitetit të tepruar që e ngurtëson zemrën e t’i kushtojmë vëmendje lutjes e të kundrimit, kjo vlenë për të gjithë po edhe për njerëzit e Kishës, sepse “aktiviteti i tepëruar”, të zënit e tepërt me punë e ngurtëson zemrën e shkatërron marrëdhëniet me të afërmit. Këtë ka nënvizuar Papa Benedikti XVI duke i kushtuar dje reflektimin e Engjëllit të Tenzot të së dielës, recituar në oborrin e Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo, figurës së Shën Bernardit të Chiaravalles, murg e mistik që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII-të.
Në qendër të lutjes së Papës, drejtuar Virgjërës Mari, ishte urata “për dhuratën paqës së vërtetë e të qendrueshme për mbarë botën”.
Të zënit të tepruar me punë shpesh çon në “ngurtësimin e zemrës”, “që nuk është tjetër përveç se vuajtje e shpirtit, humbje e inteligjencës, shkapërderdhje e hirit të Zotit”: me këto fjalë provokuese të një doktori të madh të Kishës, Shën Bernardit, Papa Benedikti nënvizoi dje rëndësinë e përqendrimit të brendshëm shpirtëror, të cilin e quan “element qenësor të përshpirtërisë”. E këtë e bëri me forcë duke përkujtuar se Shën Bernardi i Chiaravalles këtë ia thoshte një Papa, Papës Eugjenit të III, por nënvizoi Papa Racinger “ ai u fliste të gjithë Papëve e të gjithë neve”, kur shkruante në veprën e tij ‘në De consideratione’ se “lypet të ruhemi prej rreziqeve të një aktiviteti të tepruar, çfarëdo qofshin kushtet e zyrat që kemi”. E Benedikti XVI shtoi:
“Vërejtja vlen për çdo lloj të punës, qofshin edhe punët që kanë të bëjnë me qeverisjen e Kishës”.
Për Shën Bernardin që jetoi nga viti 1091 deri më 1153, Papa Racinger tha se ai “diti të harmonizonte aspiratën e murgut me vetëminë, qetësinë e manastirit dhe me urgjencën e misioneve të rëndësishme e të vështira që ka realizuar në shërbim të Kishës. “Pasuria e veçoria e teologjisë së Shën Bernardit, - pohoi Papa - nuk janë aq në përshkimin e udhëve të reja, sa në arritjen e propozimit të vërtetës së fesë me një stil aq të qartë e skalitës (mprehtë) sa që fascinonte ( la pa mend ) dëgjuesin e përgatiste shpirtin në përqendrim e lutje.” Papa pastaj kujtoi si angazhimin me të cilën luftoi për të mbizotëruar temperamentin e vrullshëm (turrshëm), po ashtu dhe përvujtërinë me të cilën diti t’i njihet e pranonte kufizimet e mangësitë e veta që kishte.
E në vazhdim Ati i Shenjtë Benedikti XVI të gjitha mësimet e shën Bernardit i përmbledhi duke pohuar se “për të forca më e madhe e jetës shpirtërore është dashuria”, e nënvizoi:
“Në dashurinë e vet, Zoti shëron vullnetin tonë e inteligjencën tonë të sëmurë duke lartuat ato në shkallën më të lartë në bashkim me Të, dmth. në shenjtëri e bashkimin mistik”.
Zoti, që është Dashuri, shpjegoi Benedikti XVI – ka krijuar njeriun për dashuri e për dashuri e shpërblenë; shpëtimi i të gjitha qenieve njerëzore, të lënduar për vdekje nga faji i rrjedhshëm, nga faji origjinal dhe rënduar prej mëkateve personale, qëndron në aderimin e bindur në dashurinë hyjnore, të dëftuar plotësisht në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur. Për këte Shën Bernardi flet, - kujtoi Papa – në librin e shkurtër por të rëndësishëm “Liber de diligendo Deo”.
Ati i Shenjtë Racinger pastaj kujtoi përshpirtërinë e Shën Bernardit ndaj Vigjërës Mari, për çka e meritoi titullin “Doktor marian” dhe kujtoi fjalimin e tij të famshëm në të cilin e krahason Zojën e Bekuar me yllin të cilin lundërtarët e shikojnë për të mos gabuar e humbur drejtimin e udhëtimit. Benedikti XVI prandaj i ftoi besimtarët e pranishëm dhe të gjithë ata që e përcjellnin përmes radiotelevizionit t’i lutën Nënës së Jezusit për këtë qëllim:
“T’i lutemi në mënyrë që të na nxjerr prej Zotit dhuratën e paqes së vërtetë e të qëndrueshme për mbarë botën”.
Në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, Papa duke folur polonisht iu referue Ungjillit të liturgjisë së djeshme, në të cilin Krishtit thotë: “Unë jam buka e gjallë, e zbritur nga qielli. Nëse ndokush ushqehet prej kësaj buke do të jetojë për amshim”, me urimin që “në ne të jetë përherë uria për këtë ushqim, kështuqë të përtërijmë prej saj, të mund të ecim drejt jetës së përjetshme e Maria “Gruaja eukaristike”, na nxjerrët për ne këtë hir prej Zotit”, tha Papa dhe pas bekimit të tij apostolik i urojë pastaj të gjithëve një të diele të mirë”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.