2006-08-18 19:13:17

Si sot, një vit më parë ishte dita Ndërkombëtare e Këlnit, i pari udhëtim ndërkombëtar i Benediktit XVI.


(18.8.06 RV)Mbi trashëgiminë e asaj ngjarjeje, reflektimi i kryeipeshkëvit Angelo Comastri, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit.
“Të takuarit e aq shumë të rinjve me Pasardhësin e Papës është një shenjë e vitalitetit të Kishës. Jam i lumtur që gjendem në mes të rinjve, që mund të nxis fenë dhe që mund të gjallëroj shpresën”: Me këto fjalë, shqiptuar me 18 gushtin e vitit të shkuar në aeroportin e Bon-Këlnit, Benedikti XVI niste udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar.
Rasti: Dita e XX Ndërkombtare e Rinisë, e thirrur tri vjet më parë nga Gjon Pali II në Këln, qytet që në katedralen e vet ruan reliket e Tre Dijetarëve të Lindjes. “E quaj gjest dashurie të Provanisë Hyjnore — pat pohuar Benedikti XVI, kur mbërriti në Gjermani – që, edhe pse nuk e vendosa unë, vizita e ime e parë jashtë Italisë, po zhvillohet në atdheun tim.” Në kujtim të atij udhëtimi apostolik dhe për një reflektim mbi trashëgiminë shpirtërore të Ditës së parë të Rinisë të Benediktit XVI, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet kryeipeshkëvi Angelo Comastri, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit:


Përgjigje: Takimi i Këlnit ishte në vazhdën e një ecjeje të gjatë filluar nga Gjon Pali II në 1984. Papa Benedikti XVI u gjet përpara kësaj trashëgimie dhe “u zhyt” në të me entuziazëm të madh. Një Papë i moshuar si ai, shihet se ka kërkuar në të gjitha mënyrat të gjejë një gjuhë të re, të thjeshtë, të kuptueshme. E duhet thënë se fjalimet e këtij teologu të madh, janë fjalime që u përshtaten edhe të rinjve; fjalime që kanë përmbajtje, që i shqyrtojnë problemet konkretisht, duke u përpjekur të vënë gjithnjë në dukje sigurinë e mesazhit të krishterë, duke u përpjekur për të bërë të kuptohet se është e bukur të besosh, se jeta ndriçohet nga bukuria dhe — do të thosha, nga dëshira për të jetuar, kur takohesh me Zotin Jezu Krisht. Kjo orvatje për të nënvizuar sigurinë e mesazhit ungjillor, që pastaj edhe është i tillë, mund të themi se është veçoria themelore e Papës Benedikti XVI.


Pyetje: Çasti kulmor i Ditës Ndërkombëtare të Rinisë në Këln ishte Adhurimi i të Shejtnueshmit. A mund të thuhet, në pak fjalë se ato ditë Papa u ofroi të rinjve, dhe jo vetëm atyre, por në vençanti të rinjve, një katekizëm të madh e të thellë mbi Misterin e Eukaristisë, që shndërron botën?


Përgjigje: Natyrisht, shihet se Papa Benedikti XVI ka një ndjeshmëri të lartë përballë misterit, dmth përballë raportit të njeriut me Zotin, që ne shprehim me fjalën “mister”. Zoti është transhendent dhe afër në të njëjtën kohë. Dhe kur ne vihemi përpara Zotit, nuk mund ta kthejmë këtë raport në diçka të rëndomtë. Familja e krishterë është një vëllazëri, që i hapet Zotit. Prandaj Papa e deshi — pikërisht në zemër të asaj të Dite Ndërkombtare të Rinisë — atë orë Adhurimi që ishte diçka mbresëlënëse! E kujtoj ende atë turmë të rinjsh në heshtje, në Këln, në adhurim, ndërsa mbi mal ishte vendosur Jezu Krishti. Nga kjo kuptohet se Papa donte t’u thoshte të rinjve: “Shihni se zemra e kësaj Dite nuk jam unë, edhe pse jam Papë. Zemra e Ditës është Ai!”


Pyetje: Ja, një vit pas Ditës Ndërkombtare të Rinisë në Këln, cila është trashëgimia më e frytshme e asaj ngjarjeje?


Përgjigje: Para së gjithash, këto ngjarje të mëdha kanë kuptim nëse janë të përgatitura dhe nëse kanë vazhdimësi. Të rinjtë që janë përgatitur për rrugëtim janë shoqëruar edhe nga udhërrëfyes, që e kanë sensin e Ditës. Të rinjtë që vazhdojnë në këtë rrugëtim përfitojnë shumë nga Ditët Botërore të Rinisë. Të njëjtin përfitim që kihet edhe nga e dielja: dita e festës të ngarkon, të mbush, të kalit, e pastaj kthehesh në jetën e përditshme i rikalitur nga ai takim. Kështu janë, në një hark kohor më të gjatë, Ditët Botërore të Rinisë: çaste të mëdha, momente të jashtëzakonshme, por që duhet të zbatohen në jetën e përditshme.


Pyetje: Shkëlqesi, në Këln Papa takoi të rinjtë por edhe një delegacion besmitarësh myslimanë, e pastaj erdhi edhe vizita historike në sinagogë. Ja, ju që i keni jetuar personalisht dhe në mënyrë intensive ato ditë, a keni ndonjë kujtim të veçantë të ndonjë ngjarjeje që nuk u përkitte vetëm të rinjve?


Përgjigje: Fjalimi shumë i kthjellët që Papa u mbajti vëllezërve myslimanë, kujtoj se u bëri shumë përshtypje të rinjve. Papa u tregua shumë i hapur por edhe shumë i vendosur: sqaroi me qartësi të jashtëzakonshme se në histori të gjithë kemi diçka për të cilën duhet të kërkojmë falje, por nëse duam me të vërtetë të vihemi për rrugë, për një rrugëtim të ri, duhet të mësojmë të respektojmë të gjithë dhe të respektojmë njëri-tjetrin në identitetet respektive. Të njëjtën gjë bëri edhe me vëllezërit hebre, duke u bërë të kuptojnë tërë përzemërsinë e Kishës Katolike. Papa donte t’u thoshte vëllezërve hebre se në rrënjë, ne jemi “semitë”, ashtu siç nuk lodhej së përsërituri Papa Piu XI, dhe se kjo është një histori, që as nuk mund të injorohet e as të pritet. Dhe takimi me vëllezërit hebre, e vëri këtë në dukje në mënyrë madhështore. Besoj se edhe nga ata u kuptua pastaj në një mënyrë të veçantëRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.