2006-08-17 12:49:29

Pjesa 4-të e intervistës së Benediktit XVI. Sot marrëdhëniet ndërmjet Selisë Romake të Pjetrit e ipeshkëvijve të Kishave të veçanta, kolegjialiteti e marrëdhëniet ekumenike.


(17.8.06 RV)Vazhdojmë me propozimin pjesë-pjesë të intervistës, trasmetuar të dielën e kaluar, që Papa Benedikti XVI i dha më 5 gushtin e kaluar disa televizioneve gjermane e Radio Vatikanit.
Argumentet e pjesës së 4-të që sot ju propozojmë, janë nga fusha kishtare që Ati i Shenjtë Racinger ka trajtuar me gazetarët duke u nisur nga detyra specifike e Papës në situatën e sotme. Marrëdhëniet ndërmjet Selisë Romake të Pjetrit e ipeshkëvijve të Kishave të veçanta, Kishave vendore; çështja e kolegjialitetit të Ipeshkëvijve në qeverisjen e Kishës dhe marrëdhëniet ekumenike.
Papa Benedikti XVI me një thjeshtësi e thellësi përvijon figurën e Kishës së cilës është duke i kushtuar tërë jetën e vet. Para syve tanë Papa na lënë afresket që lindin (burojnë) nga njeriu që nuk ka as frikë e as nuk ndjehet i shqetësuar. Ekziston një cilësi në të folurit e tij: cilësi që buron nga një njeri i bindur, i qartë, i vendosur. Sensi i hapjes, i gatishmërisë që vërehet në çdo hap (qoftë kur flitet për rolin e kishave lokale apo vendore, qoftë kur flitet për rolin e grave në jetën e Kishës) nuk vijnë nga mirësia apo begenisja e njeirut që ka postin e lartë. Por nga vetëdija e atij që është i bindur se ai personalisht është, shërbëtori i parë i jetës së Kishës. Një jetë, pra, afresku i së cilës ndryshon në besnikërinë ndaj subjektit të dashur. Që është, sikur tha në fillim,”jo një Zot cilido, por Zoti me fytyrë njerëzore, sepse kur e shohim Jezu Krishtin, ne e shohim Zotin”. Po t’i kthehemi argumenteve që përmendem më parë e ta dëgjojmë Atin e Shenjtë, Recinger.
 
5) Pyetje: Si ipeshkëv i Romës Ju jeni pasardhësi i Pjetrit. Si mund të
tregohet në mënyrë të përshtatshme Ministeri i Pjetrit sot për sot. Dhe si e
shihni Ju raportin ndërmjet parësisë së Papës nga njëra anë dhe
kolegjialitetin e ipeshkvijve nga ana tjetër?

Benedikti XVI: Ka natyrisht një raport nderjeje dhe drejtëpeshimi, dhe ne
themi se duhet të jetë. Shumllojshmëria dhe bashkimi duhet gjithnjë të
gjejnë një raport të ndërsjelltë dhe ky raport duhet të futet në një mënyrë
gjithmonë të re në situatat e paqëndrueshme nëpër botë. Sot kemi një
polifoni të re kulturash, në të cilën Evropa nuk është më faktori i vetëm
përcaktues, por bashkësitë e krishtera të kontinenteve të ndryshme po
fitojnë peshën e tyre të vërtetë, po fitojnë ngjyrën e tyre të vërtetë.
Duhet të mësojmë gjithmonë përsëri këtë shkrirje të këtyre përbërsave të
ndryshëm. Për këtë duhet të zhvillojmë mjete të ndryshme; të ashtuquajturat
vizita "ad limina" të ipeshkvijve, që kanë qenë gjithmonë, tani po përdoren
shumë më tepër, për të folur pernjimend me të gjitha instancat e Selisë
Shenjte si edhe me mua. Unë flas personalisht me çdo ipeshkëv. Kam folur
tashmë pothuajse me të gjithë ipeshkvijtë e Afrikës. Tani vijnë ata të
Evropës Qendrore, Gjermanisë, Zvicrës, dhe në këto takime ku, pra, qendra
dhe periferia piqen së bashku, në një shkëmbim të sinqertë, unë mendoj se
raporti i drejtë i ndërsjelltë rritet në këtë nderje të drejtëpeshuar. Kemi
edhe mjete të tjera si Sinodi, Koncistori, që unë tani do të mbaj
rregullisht dhe që do të doja të zhvilloja, në të cilat edhe pse pa një rend
të madh dite, të mund të diskutohen së bashku problemet aktuale, të kërkohen
zgjidhjet. E dijmë se Papa nuk është mbret absolut, nga njëra anë, por
duhet - si të thuash - të personifikojë tërësinë që vihet së bashku në
dëgjim të Krishtit. Por vetëdija se duhet një instancë bashkuese, që të
garantojë edhe pavarësinë nga forcat politike dhe që "krishterërimet" të mos
identifikohen tepër me kombësitë, pikërisht kjo vetëdije pra, që ka nevojë
për një instancë të tillë të epërme dhe më të gjerë, që krijon bashkim në
integrimin dinamik të gjithçkaje, është shumë e fortë. Prandaj besoj se ka
me të vërtetë një bashkim të ngushtë me ministerin e Pjetrit, gjë që
shprehet në vullnetin për ta zhvilluar më tej, në mënyrë që t'i pergjigjet
qoftë edhe vullnetit të Krishtit Zot, qoftë nevojave të kohëve.

6) Pyetje : Gjermania si tokë e Reformës është natyrisht e shenjuar në
mënyrë të veçantë nga raportet ndërmjet bashkësive të ndryshme. Marrëdhëniet ekumenike janë një realitet i prekshëm, që deshet gjithmonë në vështirësi të reja. Çfarë mundësish vëreni për përmirësimin e raportit me Kishën evangjelike, apo çfarë vështirësish shihni në këtë rrugë?

Benedikti XVI: mbase është e rëndësishme të thuhet para së gjithash Kisha
evangjelike ka një shumllojshmëri të dukshme. Në Gjermani kemi, nëse nuk
gabohem tri bashkësi të mëdha: Luteranët, të Reformuarit, dhe Bashkimi
Prusian. Për më tepër sot themelohen edhe kisha të tjera të shumta të lira
(Freikirchen) dhe në gjirin e Kishave klasike, lëvizje si "Kisha
Rrëfyestare" dhe kështu me radhë. Bëhet fjalë pra edhe për një kor shumë
zërash me të cilët duhet të hyjmë në dialog në kërkim të bashkimit duke
respektuar shumëllojshmërinë e zërave, e me të cilët duam të bashkëpunojmë.
Besoj se gjëja e parë që duhet bërë është që në këtë shoqëri të gjithë të
shqetësohemi bashkarisht për të qartësuar, për të gjetur, e për të zbatuar
në praktikë udhëzimet e mëdha etike, dhe të garantojmë kështu
qëndrueshmërinë etike të shoqërisë, pa të cilën ajo nuk mund të realizojë
synimin e politikës, që është drejtësia për të gjithë, bashkjetesa në paqe.
Në këtë vështrim besoj se po bëhet diçka që tani, që ne gjendemi me të
vërtetë së bashku në bazat e krishtera të përbashkëta për sfidat e mëdha
morale. Natyrisht pastaj bëhet fjalë edhe për dëshmimin e Zotit në një botë,
që ka vështirësi në gjetjen e Tij, sikurse thamë, dhe ta bëjë Zotin të
dukshëm në fytyrën njerëzore të Jezu Krishtit, dhe t'u ofrojë njerëzve
mundësinë të shkojnë në ato burime, pa të cilat morali shterpëzohet dhe
humbet të pikat e referimit, si edhe për të dhuruar gëzim, sepse nuk jemi të
izoluar në këtë botë. Vetëm kështu lind gëzimi përballë madhështisë së
njeriut, që nuk është kurrë një prodhim i arrirë i evolucionit, por
shëmbëlltyrë e Zotit. Duhet të lëvizim në këto dy plane, - si të thuash - në
atë të referimeve etike dhe atë që dëfton - duke filluar nga brenda dhe duke
u drejtuar drejt tyre - praninë e Zotit, të një Zoti konkret. Nëse e bëjmë,
dhe mbi të gjitha nëse në të gjitha grupimet tona të veçanta përpiqemi të
mos ta jetojmë fenë në mënyrë sektare, por duke u nisër gjithnjë nga
themelet e saja më të thella, atëherë mbase nuk do të arrijmë aq shpejt në
manifestime të jashtme të bashkimit, por do të piqemi drejt një bashkimi të
brendshëm, e që në dashtë Zoti, një ditë do të na çojë edhe në forma të
jashtme të bashkimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.