2006-08-15 17:10:47

Në festën e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, Papa ia beson Mbretëreshës së Paqes ankthet e njerëzimit për çdo vend të sflitur nga dhuna.


Papa Benedikti XVI iu lutë sot Virgjërës Mari, Mbretëreshës së paqes, për dhuratën e mirëkuptimit për mbarë botën. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi edhe një herë në Liban e në Tokën e Shenjtë, por edhe në Irak e në Sri Lankë.
“Maria – shtoi Papa Racinger – është shembull e mbështetje për të gjithë besimtarët: ajo na inkurajon të mos e humbasim shpresën para vështirësive e problemeve të pashmangshme të jetës së përditshme. Na siguron ndihmën e saj e na kujton se gjëja themelore është të kërkosh e të mendosh gjërat e larta të qiellit, e jo ato të tokës”:
“Të zënë me punët e përditshme, ne vërtetë rrezikojmë të mendojmë se qëllimi i fundit i ekzistencës njerëzore është këtu, në këtë botë në të cilë jemi vetëm në kalim. Ndërsa caku i shtegtimit tokësor është Parasja. Sa do të ishin ndryshe ditët tona, po ti vështronim në këtë perspektivë! Kështu ka qenë për shenjtorët. Jeta e tyre dëshmon se kur jetohet me zemër përherë të drejtuar kah qielli, realitetet tokësore jetohen në vështrimin e në vlerësimin e drejtë sepse të ndriçuara nga e vërteta e amshuar e dashurisë hyjnore”.


Këndej Papa iu lutë Virgjëres Mari të ndërmjetësoi për paqen në botë:


“Mbretëreshës së paqes, të cilën e kundrojmë në lavdinë qiellore, dua t’ia besoi edhe një herë ankthin e njerëzimit për çdo vend të botës të munduar nga dhuna”.
Pastaj Ati i Shenjtë Benedikti XVI shprehi afërsinë dhe bashkimin e tij shpirtëror me ata që sot janë mbledhur në Shenjtëroren e Zojës Sonë të Libanit në Harissa për Kremtimin e Meshës së Shenjtë të kryesuar nga kard. Roger Etcheragay, i cili ka shkuar në Liban si i Dërguari i Posaçëm i Papës, “për të dëshmuar afërsinë atërore e për të shpreh solidaritetin konkret të Atit të Shenjtë me të gjitha viktimat e konflikitit dhe për t’u lutur për njetin e madh të paqes”.
E Benedikti XVI shprehi bashkimin e tij edhe me Barinjtë e me besimtarët e Kishës në Tokën e Shenjtë, mbledhur në Bazilikën e Lajmërimit në Nazaret, përreth përfaqësuesit papnor në Izrael e Palestinë, imzot Antonio Franco, “për t’iu lutur Zotit për të njëjtat qëllime”. Mendimi i Papës iu drejtua edhe dy Vendeve tjera të tronditura nga luftërat dramatike:
“Mendimi im i drejtohet edhe Kombit të dashur të Sri Lankës, të kërcënuar nga përkeqësimi i konfliktit etnik; pastaj Irakut, ku vazhda e gjakut që derdhet çdo ditë, e largon perspektivën e pajtimit e të rindërtimit të Vendit. Virgjëra Mari na dhuroftë të gjithëve ndjenja të mirëkuptimit, të vullnetit të marrëveshjes e të dëshirës së harmonisë!”.


*************************


Para lutjes së Engjëllit të Tenzot, sot në mëngjes Papa kremtoi Meshën e Shenjtë për Solemnitetin e të Ngjiturit të Marisë në Qiell, në kishën famullitare të Shën Tomës nga Villanova, në Castel Gandolfo. Me këtë rast Benedikti XVI pohoi se në fytyrën e Virgjëres së Bekuar mund të shohim bukurinë e Zotit e, përmes shembullit të saj, të shijojmë dashurinë e Zotit e cila gjithmonë fiton mbi të keqën.
“T’i lutemi Marisë, Mbretëreshës së Paqes, të na ndihmojë edhe sot, për fitoren e paqes”.
Maria, pohoi Papa, është e Lumtur për të gjitha breznitë sepse ka besuar, “sepse i është bashkuar Zotit, sepse jeton me Zotin”. Maria, vijoi Ati i Shenjtë, “ka përgatit me trup e shpirt këtu në tokë banesën për Zotin, dhe tokën e ka hapur për qiellin”. Këndej Papa nënvizoi domethënien themelore të fjalëve të Elizabetës drejtuar Nënës së Zotit, për çka foli ungjilli i sotëm: “ E Lumja tij pse besove:”
“Akti i parë dhe themelor për të gjetur banesën në Zotin e për të gjetur kështu lumturinë përfundimtare është të besosh. Eshtë feja, feja në Zotin, në atë Zot që është shfaqur në Jezu Krishtin e që edhe sot zëri i Tij dëgjohet përmes Fjalës hyjnore të Shkrimeve të Shenjta”.
Në Kishën famullitare të Castel Gandolfit të stërmbushur përplotë me besimtarë, të cilët u lutën për paqen në Lindje të Mesme, Papa edhe herë deshti të ripohonte se “duke shikuar fytyrën e Marisë” mund të shohim “bukurinë e Zotit, mirësinë e tij, mëshirën e tij hyjnore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.