2006-08-11 18:59:40

Të paktën 11 civilë u vranë sot në Liban nga bombardimet izraelite. Gjatë 24 orëve të fundit u vranë edhe 20 luftëtarë shiitë. Diplomacia ndërkombëtare vazhdon punën për një zgjidhje paqësore


Sulmet ajrore në Liban vazhdojnë. Të paktën 11 persona vdiqën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Po ashtu një zëdhënës ushtarak njoftoi se gjatë 24 të fundit u vranë 20 hezbollahë. Ndërkaq Haifa dhe Galialea janë shndërruar në shënjestrën e preferuar të raketave hezbollahe.
Ndërsa nga fusha e diplomacisë, John Bolton, ambasador amerikan pranë selisë së OKB-së në Nju Jork, njoftoi se tani bisedimet janë shumë, shumë afër arritjes së një kompromisi për Lindjen e Mesme. Deri tani pengesë për arritjen e një marrëveshjeje janë Izraeli por edhe Libani. Në veçanti kryeministri libanez Saniora është kundër dislokimit të trupave të OKB-së në jug të vendit, në bazë të kapitullit 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që autorizon përdorimin e forcës jo vetëm për vetëmbrojtje. Po sot Izraeli refuzoi propozimin rus për një paqe 72 orëshe, për t’u ardhur në ndihmë civilëve, me arsyetimin se kjo paqe do të shkonte në favor të konsolidimit të hezbollahëve. Ndërsa duke folur në lidhje me dëmet e luftës, ministri libanez i mjedisit tha se ndotja e Mesdheut nga derdhja në det e 15 mijë ton lënde të djegshme nga serbatori i një centrali elektrik, është po aq e rëndë sa edhe ajo e Gjirit Persik në vitin 1991.


Gjendja në Irak vazhdon të mbetet e nderë. Në veri të vendit dy punonjës policie mbetën të vrarë nga një atentat, kurse ushtria amerikane gjeti sot trupat e dy efektivave të helikopterit të saj, rrëzuar të martën në provincën e Al-Anbarit. Po ashtu një grup sunit mori përsëri autorësinë e atentatit të përgjakshëm që dje tronditi Nazhafin, duke shkaktuar në tregun e këtij qyteti 35 të vdekur.


Tre anëtarë të Al-Kaedës u vranë sot në Afganistan gjatë një operacioni të drejtuar nga forcat e ushtrisë afgane dhe nga trupat ndërkombëtare. Sulmi në provincën jug-lindore të Kostit çoi edhe në arrestimin e tre personave të tjerë të lidhur me talebanët.







All the contents on this site are copyrighted ©.