Të nesërmen e zbulimit të atentateve terroriste në linjat ajrore angleze drejt SHBA-së,
e gjithë Britania e Madhe dhe SHBA-ës janë në gjendje alarmi.
(11.8.2006 RV)“Niveli i alarmit
mbetet i lartë në Mbretërinë e Bashkuar si “masë sigurie” për të mbrojtur popullin.”
Lajmi u dha nga ministri i brendshëm britanik John Reid. Sipas kanalit televiziv CNN,
sulmet terroriste u zbuluan nga një agjent i futur në një nga celulat terroriste islamike. Pas
policisë ishte Banka e Anglisë ajo që reagoi e para. Menjëherë u bllokuan llogaritë
bankare 19 prej 24 të arrestuarve, shumica e të cilëve janë me origjinë pakistane.
Në të njëjtën kohë edhe në Pakistan u arrestuan pesë persona në lidhje me këto atentate,
që duhet të kishin ndodhur pikërisht sot, me 11 gusht, një muaj para se të mbusheshin
5 vjet nga atentatet e Kullave Binjake në Nju Jork. Në një nga shtëpitë e të arrestuarve
u gjet edhe një video që flet për martirizimin e kamikazes, gjë që provon vërtetësinë
e atentateve. Megjithë këtë valë të re të terrorit, ashtu si në korrik të 2005-ës,
anglezët po dëshmojnë se janë të aftë të reagojnë ndaj rreziqeve në mënyrë civike.
Aktivitetet e përditshme vijojnë rregullisht kudo.