2006-08-11 18:48:01

E Lumja Nënë Tereze, flakë e dashurisë: “Nuk ka rëndësi sa shumë gjëra bëjmë, po me sa dashuri veprojmë”.(11 gusht)


(11.8.06 RV)RealAudioMP3 Vijojmë me rubriken tonë të përditshme radiofonike kushtuar të Lumës Nënë Terezës. Për sot kemi shkëputur nga fragment nga porosia e Nënë Terezës lënë motrave të veta rregulltare, Misionareve të Dashurisë, që çdo ditë, në çdo vepër e në çdo gjest, në çdo mendim e dëshirë t’ia dhurojnë krejtësisht vetveten Zotit. Këtë, mëson e Lumja Nënë Tereze, duhet bërë përherë duke dashur e shërbyer të varfërit, të sëmurët e çdo njeri, që provania hyjnora na çdon në jetën e përditshme. Ja çfarë i porosit Nënë Tereza Gonxhe Bojaxhiu Misionare e Dashurisë… Porosi e Nënë Terezës:
“Ta dhurojmë vetveten me Të (Jezusin) e për Të. Lëre Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbet tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj.
Ai është e vetmja Dashuri që vlen të ndjehet, e vetmja Rrugë që meriton të ndiqet, e vetmja dritë që ia vlen të kërkohet, e vetmja jetë që ia vlen të jetohet. Ai ka bërë kaq shumë për ju – tani është radha juaj “të bëni” diçka për Të.
Ai vdiq në kryq për të treguar dashurinë më të madhe, e Ai vdiq për ju e për mua e për atë të gërbulurin, për atë njeriun aty që po vdes nga uria, e për atë person gjysëm lakuriq që është shtrirë në rrugë, jo vetëm në Kalkutë, por edhe në Afrikë, në Nju Jork, në Londër e në Oslo – dhe nguli këmbë që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si deshi Ai secilin prej nesh. Ne mund ta lexojmë qartë këtë në Ungjill, “doni ashtu si ju kam dashur; ashtu si Ati më ka dashur mua, unë ju dua juve”. Kur Ati e deshi shumë, na e dha Atë neve, dhe sa më shumë që ta duam njëri-tjetrin, aq më shumë duhet t’i japim njëri-tjetrit, deri në dhembje.
Nuk mjafton për ne të themi “Unë e dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Shën Gjoni thotë se je gënjeshtar nëse thua se e do Zotin, por nuk do fqinjin. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, jeton me të? Kjo gjë është me rëndësi për ne: të kuptojmë se dashuria, që të jetë e vërtetë, duhet të dhembë”.
“Unë besoj se ne nuk jemi punonjëse sociale. Ndoshta ne bëjmë punë sociale për sytë e njerëzve, por në të vërtetë, ne jemi ato që kundrojnë Krishtin në zemër të botës. Sepse ne prekim Korpin e Krishtit për 24 orë me radhë!
Ne jemi 24 orë në praninë e Tij, ju edhe unë. Edhe ju duhet të përpiqeni që ta sillni Zotin në familje, sepse familjet që luten sëbashku qëndrojnë sëbashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të qëndrojmë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim atë paqe, atë gëzim, atë fuqi të pranisë së Zotit për njëri-tjetrin në shtëpi.
Ne do të jemi në gjendje ta shtypim e asgjësojmë kështu të keqen në botë. Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë mjerim dhe me lutjen tonë, me flijimin tonë, që fillon në shtëpi – po, dashuria fillon në shtëpi.
E nuk ka rëndësi sa shumë gjëra bëjmë, por me sa dashuri veprojmë. Është për Zotin e gjithpushtetshëm – sa shumë gjëra bëjmë, nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafundëm, por me sa dashuri veprojmë – ajo ka rëndësi. Sa shumë bëjmë për Zotin nëpërmjet personit të cilit i shërbejmë?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.