Thirrjet e Papëve për paqen në botë nga Benedikti XV deri më sot.
(10.8.06 RV)Të
nesërmen e thirrjes së re të Papës Racinger për mbarimin e konfliktit në Lindje të
Mesme, po i përshkojmë së bashkut angazhimet e Papëve për paqen, nga Benedikti XVI
deri sot, në një shekull të shënuar nga luftërat. Aty ku lufta shkatërron jetën
e njerëzve e shuan shpresat, Papët u kanë dhënë zë atyre që nuk e patën. Kështu, në
1900.ten shekullin që njohu luftërat më të përgjakshme që ka shënuar historia e njeriut,
e në fillim të Mijëvjeçarit të Tretë, që kaq dramatikisht është goditur nga dhuna,
Papët qenë e janë dëshmitarë të paqes, promovues të dialogut ndërmjet popujve dhe
feve. Në agimin e shekullit të kaluar, Evropa qe tronditur nga krismat e topave.
Në verën e vitit 1914, pikërisht ndërsa armët korrnin viktimat e para, kardinali Giacomo
Della Chiesa zgjidhej Papë. Jemi në një moment dramatik për njerëzimin. Benedikti
XV i drejton menjëherë ‚Thirrjen apostolike’ të gjithë katolikëve të botës“. „Na mbush
shpirtin me tmerr e hidhërim“, shkruan në letrën e tij Ubi Primum, konstatimi se „kaq
pjesë të Evropës, të bëra zjarr e hi, përskuqen prej gjakut të të krishterëve“. Lutemi
dhe „përbetojmë- vijon Papa – të gjithë ata kanë në dorë fatin e popujve t’i lënë
më një anë kundërshtitë në interesin e të mirën e shoqërisë njerëzore“. Tri vjet
më vonë, armët nuk heshtin ende, por Benedikti XV insiston më tej e më 1 gusht të
vitit 1917 krerëve të popujve ndërluftues u dërgon Thirrjen (Qortimin), Dés le début,
(Mbi debutimin) në të cilën parashtron zgjidhjet për t’i dhënë fund asaj që ai e përcakton
si „inutile strage“ – „masakër e kotë“. Si Papës Della Chiesa, ashtu edhe Papa
Pacellit iu desh të ballafaqoheshin me tragjedinë e tmerrshme të një konflikti në
shkallë botërore, madje edhe më të përgjakshëm se ai që u mbyll më 1918. Piu XII shfrytëzon
mjetin e Radio Vatikanit, themeluar 8 vjetë më parë nga Piu XI, për të bërë që thirrja
e tij e fuqishme e plot shqetësim të mbërrijë tek të gjithë popujt e botës. Eshtë
24 gushti i vitit 1939: „Një orë e rëndë bie përsëri për familjen e madhe njerëzore,
ora e vendimeve të tmerrshme(…) Rreziku që kanoset, por kemi kohë ende. Asgjë nuk
është e humbur me paqen. Gjithçka mund të humbet me luftë“. Me paqen lidhet ngushtë
edhe emri i Papës Gjonit XIII, i cili në Encikliken e tij Pacem in Terris ka vënë
gurin themeltar në udhën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Papa Roncalli
për herë të parë, i bën thirrje jo vetëm katolikëve, por „të gjithë njerëzve vullnet
mirë“. Që nga faqja e parë e Enciklikës, Papa nënvizon katër shtyllat kryesore të
paqes ndërmjet njerëzve, që janë: e vërteta, drejtësia, dashuria e liria. E botuar
pak muaj pas krizës së Kubës, që e shtyu njerëzimin deri në greminën e Luftës së Tretë
Botërore, Pacem in terris kërkon me forcë që „të ndalohen armët bërthamore; të arrihet
përfundimisht deri te çarmatimi i plotë përmes kontrollit të fortë e të plotë“. Dhe
shton: „ Gati duket e pamundur të mendosh se në epokën atomike lufta mund të përdoret
si instrument drejtësie“. Dy vjet më vonë, më 4 tetor 1965, jehojnë fuqishëm fjalët
e Palit VI drejtuar Kombeve të Bashkuara, gati-gati si një himn kushtuar paqes: „Kurrë
më luftë, kurrë më luftë! Paqja duhet të udhëheq fatet e popujve e të mbarë njerëzimit“.
Papa Montini, në fjalimin historik në Pallatin e Qelqët të Nju Jorkut para qeveritarëve
të kombeve të botës, nënvizoi se për të ndërtuar paqen, në rend të parë nevojitet
angazhimi për çarmatim. „Nëse doni të jeni vëllezër – është vrejtja e Palit VI – lëshoni
të bien armët prej duarve tuaja“. Apostull i palodhur i paqes është Papa Gjon Pali
II, i cili në tërë papninë e tij të gjatë ka qenë afër popujve që vuanin, për shkak
të luftërave. Paqes, Papa polak që personalisht i ka përjetuar tmerret e Luftës së
Dytë Botërore, i kushton ditët e lutjes në Assisi. Prekëse e të paharrueshme janë
thirrjet për paqen në Tokën e Shenjtë e në Ballkan, Kroaci, Bosnje e Kosovë. E pastaj
thirrja për paqen në shumë Vende të Afrikës, të prekura e munduara nga luftërat që
janë harruar. Profetik u tregue mesazhi Urbi et Orbi i Krishtlindjes së vitit 1990,
në pragun e luftës së parë të Gjirit Persik. „Për zonën e Gjirit, plotë ankth,
presim zgjerimin e kërcënimit të armëve! Të binden përgjegjësit se lufta është aventurë
pa kthim! Me arsyetim, me durim e me dialog, e në respektimin e të drejtave të pacenueshme
të popujve e të njerëzve, është e mundshme të gjenden e të përshkohen rrugët e mirëkuptimit
e të paqes“. Me parardhësin e tij të dashur, edhe Papa Benedikti XVI, qysh në
hapat e parë të Pontifikatit të tij, në dialogun ndërmjet kombeve, e sheh dhe tregon
mjetin e angazhimin të domosdoshëm për rivendosjen e paqes. „Në të vërtetën, është
paqja“, shkruan Papa Racinger në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes,
themeluar nga Pali VI. Të parreshtura thirrjet e tija për përfundimin e dhunës në
Irak, e duke parë dramën e këtyre ditëve, për paqen në Lindje të Mesme. Gjatë audiencës
së përgjithshme të 2 gushtit të kaluar, Papa Benedikti XVI kështu e përmbledhi mendimin
e tij mbi luftën çnjerëzore: „Dëshiroj të përsëris se asgjë nuk mund të arsyetojë
derdhjen e gjakut të pafajshëm, pa marrë para sysh se nga cila anë ajo vjen! Me zemër
plot trishtim, rinovoj edhe një herë thirrjen time të fuqishme për ndaljen e menjëhershme
të të gjitha luftimeve e të çdo lloji dhune!“