2006-08-09 19:10:46

“Armët të zëvendësohen me vullnetin e mirë, besimin dhe respektimin e marrëveshjeve.” Kjo është thirrja e re e Papës për paqe në Liban gjatë audiencës së sotme në Vatikan, katekizmin e së cilës ia kushtoi fjalëve të Gjonit Apostull “Zoti është dashuri”.


RealAudioMP3 (9.8.06.RV)“Jo më njëri kundër tjetrit”, por një zgjidhje të “drejtë e të qëndrueshme” të konfliktit libanez krijuar mbi baza të arsyeshme, të vullnetit të mirë, të respektit e besimit. Papa Benedikti XVI kërkoi edhe një herë paqen për Lindjen e Mesme, në përfundim të audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Vatikan, katekizmin e së cilës Ati i Shenjtë ia kushtoi risisë së krishtërimit, përshkruar nga Gjoni Apostull: Zoti është dashuri.
Po, le t’i kthehemi shqetësimeve e thirrjeve të parreshtura për paqen e heshtjen e armëve, që këtyre ditëve e këtyre orëve Papa Benedikti XVI i ka në zemrën e tij atërore:
“Të dashur vëllezër e motra, mendimi im edhe një herë shkon tek rajoni i dashur i Lindjes së Mesme. Duke iu referuar konfliktit tragjik në zhvillim, propozoj edhe një herë fjalët e Papës Palit VI drejtuar OKB-së, në tetor të vitit 1965: “Jo më njëri kundër tjetrit, jo më, kurrë!.... Nëse doni të jeni vëllezër, lëshoni armët prej duarve tuaja”. Para përpjekjeve që po bëhen për të mbërritur më në fund deri te ndalja e armëve dhe një rezolutë e drejtë dhe e qendrueshme e konfliktit, përsëris me paraardhësin tim Gjon Palin II, se është e mundur të ndryshohet rrjedha dhe zhvillimi i ngjarjeve kur mbizotëron arsyeja, vullneti i mirë, besimi në tjetrin, zbatimi i angazhimeve të marra mbi vete dhe bashkëpunimi ndërmjet partnerëve përgjegjës (Fjalimi drejtuar Trupit Diplomatik, 13 janar 2003). Të gjithëve u përsëris thirrjen të intensifikohet lutja për të fituar dhuratën e dëshiruar të paqes”.

Pra, dëgjues të nderuar, Ati i Shenjtë Racinger i bën thirrje vullnetit të mirë, besimit, respektit. Vlera njerëzore këto që përfundojnë në thellësinë e një vlere më të madhe, që e bën krishterimin fe unike (unicum): dashuria (leximi 1 Gjn 4,16). Duke e lidhur me katekizmin e audiencës së sotme me mësimet e tija mbi marrëdhëniet ndërmjet Apostujve e Kishës, Papa Benedikti XVI kaloi tek figura e Gjonit apostull, komentuar para ndërprerjes (pushimeve) verore, tek “intuita e shkelqyeshme” që është thelbi i tërë Ungjillit të katërt: “Zoti është dashuri”. Bëhet fjalë – shpjegoi Benedikti XVI – për një argument “karakteristik” jo vetëm në Ungjillin dhe Letrat e Gjonit, por edhe të një “dhëne të veçantë” të tërë fesë kristiane, e cila pikërisht për këte edhe dallohet prej feve tjera, në të cilat “ është shumë vështirë të gjesh tekste të kësaj natyre”. Gjoni, vrejti Papa, nuk e trajton dashurinë e Zotit në mënyrë “abstrakte”, por “konkrete”, të “verifikueshme” nga çdo person, duke dalluar “tri momente” që e karakterizojnë: Dashuria, thelbi i vetë Zotit, hyrja e kësaj Dashurie në historinë njerëzore përmes Jezusit dhe “përgjigja e dashurisë” që njeriu është i thirrur të japë ndaj Urdhërit të ri.
Që nga momenti i parë, intuita e ungjilltarit tregon të tërë veçorinë e vet në përcaktimin e Zotit:
“Të kemi mirë para sysh se: nuk pohohet thjesht se “Zoti dashuron” e aq më pak se “dashuria është Zot”! Me fjalë tjera: Gjoni nuk përkufizohet në përshkrimin e veprimit hyjnor, por vijon e shkon deri në rrënjtë e saj. Mëtutje, nuk ka ndër mend t’i jap një cilësi hyjnore një dashurie të përgjithshme e, jo konkrete; nuk lartohet nga dashuria tek Zoti, por i kthehet drejtëpërsëdrejti Zotit për të përcaktuar natyrën e tij me përmasen e pakufijshme të dashurisë. Me këtë, Gjon don të thotë se elementi përbërës thelbësor i Zotit është dashuria e prandaj tërë aktiviteti apo veprimtaria e Zotit lind nga dashuria dhe është e vulosur më dashuri: gjithçka bën Zoti, e bën për dashuri e me dashuri. Edhe pse jo gjithmonë mund ta kuptojmë se është dashuri, në realitet është dashuri e vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.