2006-08-09 18:34:53

Në Liban sot ishte dita e 29-të e luftimeve.


RealAudioMP3 Aviacioni izraelit bombardoi shtatmadhorinë e hezbollahëve në fshatin Bint Jbeilnel. Si pasojë e sulmit u vranë 10 militantë shiitë. Ndërsa televizioni Al Arabia njoftoi se 4 ushtarë izraelitë u vranë në ndeshjet me hezbollahët. Nga ana tjetër hezbollahët sulmuan me raketa Haifën dhe Galilenë por nuk pati viktima.
Nga përpjekjet diplomatike, Franca dhe SHBA-ës pas refuzimit të Libanit për planin e parë të paqes po hartojnë një të dytë. Objektivi është që të arrihet një marrëveshje që i jep qëndrueshmëri krejt rajonit. Për këtë ministri i jashtëm francez Douste-Blazy tha se ushtria libaneze duhet jo vetëm të rreshtojë ushtarët e vet përgjatë kufirit me Izraelin, por edhe të marrë përsipër çarmatosjen e hezbollahëve.
Ndërkaq u bë e ditur se sot qeveria izraelite me 9 vota pro nga 12 gjithsejt, i tha “po” planit të ministrit të mbrojtjes Amir Peretz për shtrirjen e operacioneve në brendësi të Libanit.

Në Indonezi udhëheqësit fetarë nënshkruan një dokument në të cilin dënojnë sulmet e Izraelit në Liban dhe bëjnë thirrje për paqe. Më shumë se 100 prelatë të fetarë dhe besimtarë të ndryshëm morën pjesë në një demonstrim paqësor në Xhakartë ku dënuan dhunën në Liban dhe kërkuan rivendosjen e paqes.

Autoritetet e ishujve qendrore Suvaleze, në Indonezi miratuan urdhërin për ekzekutimin e tre katolikëve, gjykuar si përgjegjës për masakrën e 200 myslimanëve në Poso gjatë përleshjeve ndërfetare. Familjarët e të dënuarve nuk i kanë pranuar deri më sot as akuzat dhe as dënimet që u janë dhënë të afërmve të tyre për shkak se procesi gjyqësor nuk e ka provuar në mënyrë të prerë fajësinë e të pandehurve.

Organizata “Caritas Internationalis” shpreh indinjatën e thellë për vrasjen e 17 punonjësve humanitarë Tamil në Sri Lankë, nga ana e disa grupeve të armatosura. “Trishtim dhe zemërim” - thuhet në komunikatën e Karitasit, për vrasjen e këtyre kolegëve që ishin të angazhuar në luftën kundër varfërisë dhe urisë.

Policia e UNIMIK-ut vendosi të shtojë radhët e veta në Mitrovicë me 500 efektiva të reja. Shtimi i numrit të policëve u bë me kërkesë të vetë autoriteteve vendore të Mitrovicës, qytet ku siç dihet në të kaluarën ka patur konflikte ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.