2006-08-08 17:49:05

Lajme shoqërore-politike: 8 gusht


Duket se anëtarët e Këshillit të Sigurisë së OKB-së më në fund ranë dakord për një marrëveshje mbi konfliktin izraelo-libanez. Lajmi u dha nga ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier para se të nisej për në Lindje të Mesme. Ndërkaq në Liban lufta vazhdon.

Bombat vijojnë të bien mbi Libanin jugor ndërsa raketat hezbollahe vazhdojnë të godasin veriun e Izraelit. Burimet izraelite njoftuan se shtatë hezbollahë u vranë gjatë përleshjeve me armë. Po ashtu më shumë se 40 raketa goditën Galilenë por pa shkaktuar viktima. Ushtria izraelite shpërndau sot nga ajri komunikata ku shpjegohet se aviacioni do të godasë çdo makinë që dyshohet se transporton pajisje e materiale ushtarake. Gjithashtu kryeministri izraelit Olmert bëri të ditur se ushtria do t’i zgjerojë sulmet në krejt Libanin nëse diplomacia ndërkombëtare dështon në negociatat me hezbollahët.
Pavarësisht tensionit gjithnjë të nderë në Lindje të Mesme ministri i jashtëm Gjerman Frank Walter Steinmeier, tha sot se Këshilli i Sigurisë i OKB-së arriti një marrëveshje për armëpushim në Liban. Ministri gjerman theksoi se Izraeli dhe Libani duhet të pranojnë dislokimin e një force ndërkombtare në kufi ndërmjet dy shteteve, si pjesë të këtij plani.
Sinjale pozitive vijnë edhe nga Libani. Kryeministri Saniora deklaroi se ka ndërmend të dislokojë 15 mijë ushtarë përgjatë kufirit me Izraelin, nismë që u mirëprit nga Izraeli. Por nga ana tjetër, në Iran, Ajatollah Kamenei u bëri thirrje të gjithë myslimanëve të botës të mbështesin hezbollahët libanezë. Kamenei pastaj kritikoi edhe disa shtete islamike që mbështesin amerikanët dhe jo hezbollahët.







Kryeministri irakian Nuri Al Maliki kritikoi operacionin, filluar të dielën e shkuar nga forcat amerikane dhe irakiane në lagjen shiite Sadr City. “Operacioni luftarak, që më pas shkaktoi përleshje të tjera, është kryer pa pëlqimin tim.” - tha kryeministri. Më pas Al Maliki aktet e dhunshme që shkaktojnë të vrarë i cilësoi si pengesa për pajtimin kombëtar. Sidoqoftë situata është ende mjaft e tensionuar në krejt vendin. Në Bagdad të paktën 20 persona u vranë në atentate të ndryshme që goditën zona të mbushura me njerëz si tregje dhe stacione të kryeqytetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.