2006-08-07 16:59:53

Mesazhi i Papës drejtuar takimit ndërkombëtar të Veprimit Katolik në Ugandë: lejoni të pushtoheni nga dashuria e Zotit.


(7/8/2006 RV) RealAudioMP3 Të besosh domethënë t’i përkasësh Krishtit Zot, të pushtohesh nga dashuria e Tij, të impenjohesh të jesh, me Të dhe për Të, dritë e kripë e tokës, tharm i shoqërisë”: Kështu shkruan mes tjerash Papa Benedikti XVI në mesazhin e tij, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Angelo Sodano, drejtuar pjesëmarrësve të Takimit të III Kontinental Afrikan të Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, që po zhvillohet në Lugaci, në Ugandë deri më 9 gusht. Tema e këtij takimi është: “E ardhmja e Krishterimit në Afrikë e në botë” dhe mbahet në kuadrin e përgatitjeve për Asamblenë e II Speciale për Afrikën e Sinodit të Ipeshkvinjve.
Në mesazhin e Tij, Benedikti XVI i fton pjesëmarrësit e këtij takimi t’i kujtojnë figurat e Shenjtorëve, martirët ugandezë të Namugongos, për “të ripohuar vendosmërinë për të ecur gjurmëve të atyre laikëve të krishterë – të rinj e të bindur – që dëshmuan fenë e tyre me derdhjen e gjakut për Ungjillin”.
Takimi i III Kontinental Afrikan do të mbyllet me kremtimin e Meshës së Shenjtë pranë Shenjtërores së Namugongos, ku gjeten vdekjen kah mbarimi i 1800 Karl Lwanga dhe shokët e tij. “Për këta – shpjegon Papa – Jezu Krishti nuk qe simbol i një vlere dosido e abstrakte, por simbol i një Personi të gjallë e konkret, një Personi absolutisht të jashtëzakonshëm, për të cilin çdo i pagëzuar mund të thotë me fjalët e Shën Palit Apostull: ‘Më ka dashur dhe ka flijuar vetveten për mua”.
Në vijim të mesazhit, Ati i Shenjtë Racinger ndalet tek “kontributi specifik që “laikët e krishterë mund të japin në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë” dhe përkujton programin e trefishtë që Papa Pali VI pati propozuar gjatë vizitës së tij apostolike në Ugandë në vitin 1969. E pikërisht në Shenjtëroren e Namugongos, Papa Montini i ftoi besimtarët ta duan Jezu Krishtin, t’i jenë besnik Kishës e të jenë të fortë e guximtarë në kultivimin e vlerave shpirtërore e njerëzore. Së fundi në mesazhin e tij, Papa Bendikti XVI fton të “dëshmohet bukuria e fesë së flaktë, feja që shndërron jetën e përditshme dhe propozohet si mënyrë tërheqëse për ata që pyesin e kërkojnë arsyet e shpresës që janë në ne, besimtarët”. Mesazhin e tij, Papa e mbylli me bekimin e veçantë apostolik për të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi.
Po cilat janë sfidat për të ardhmen e Krishterimit në kontinentin afrikan? Të dëgjojmë ipeshkvin imzot Francesco Lambiasin, asistent kishtar i Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolikë:
“Më duket se sfida e parë është ajo e dialogut ndërfetar, sepse Afrika konstaton rritjen e Krishtërimit dhe të Katolicizmit, në mënyrë të posaçme, por konstaton edhe lulëzimin e sekteve të ndryshme fetare si dhe rritjen e Islamit. Kështu mendoj se është i nevojshëm sqarimi i kushteve të dialogut, që janë ato të cilat Papa Gjoni XXIII pati nënvizuar si: sinqeriteti, ndershmëria, qartësia, respekti reciprok. Pastaj mendoj se të krishterëve e katolikëve u kërkohet besnikëria ndaj Ungjillit e gatishmëria për dialogun mes veti për të shqyrtuar se cilat mund të jenë pikat e kontaktit me islamin. Natyrisht Islamizmi nuk duhet përzierë me terrorizmin, me palët ekstremiste e fondamentaliste, po duhet analizuar mirë nga afër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.