2006-08-07 16:54:41

Edhe një ditë tjetër luftimesh në Lindje të Mesme.


(7.8.06 RV)RealAudioMP3 Një mijë të vdekur në Liban në 27 ditë bombardime izraelite. Sot një tjetër masakër civilësh në juglindje të vendit. 40 viktima, ndërmjet të cilave edhe 9 fëmijë. Kurse hezbollahët hodhën afro 20 raketa mbi Galile. Dje u vranë edhe 12 rezervistë izraelitë.

Edhe një ditë tjetër luftimesh në Lindje të Mesme. Aviacioni izraelit bombardoi jugun e Libanit, duke shkaktuar me dhjetra viktima. Pastaj hezbollahët vijuan të hedhin raketa kundër Izraelit. Në Bejrut u hap ndërkaq takimi i Lidhjes Arabe për të diskutuar mbi gjendjen e Vendit të Çedrave.

Diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të shpejtojë për arritjen e paqes, por dita e 27-të e luftës u shenjua nga një masakër e re. Të paktën 40 persona u vranë gjatë një sulmi izraelit në jug të vendit. Burimet e atyshme treguan se pati edhe 9 fëmijë ndër viktimat. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në Liban që nga nisja e luftimeve arriti kështu në afro 1 mijë vetë, sipas burimeve të Ministrit të Shëndetësisë. Një tjetër bilanc i Komitetit të Lartë për Ndihmat bën të ditur se në Liban janë shkatërruar gati 145 ura dhe 6.800 shtëpi.
Ndërsa nga fronti tjetër, një ushtar izraelit u vra në jug të Libanit, gjatë përleshjeve me hezbollahët. Kurse numri i rezervistëve të vrarë dje nga katjushkat arriti në 12. Gjithsejt ushtarët izraelitë të vrarë deri më sot janë gati 100.
Ndërkaq në Bejrut filloi mbledhja e jashtëzakonshme, promovuar nga Lidhja Arabe, për marrjen në shqyrtim të refuzimit që Libani i bëri planit franko-amerikan për paqe. Kryeministri Libanez Siniora, në fjalën e vet në hapje të takimit, e cilësoi sulmin izraelit si “terrorizëm shtetëror”. Po ashtu presidenti
Sirian Bashar Al-Assad paralajmëroi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Kofi Ananin se nëse plani për paqen miratohet pa pëlqimin e vendeve të Lindjes së Mesme, situata mund të acarohet.
Gjendja nuk është më e qetë as në Territoret e pushtuara palestineze. Vijojnë polemikat pas arrestimit të presidentit të parlamentit palestinez. Udhëheqësi i Hamasit, bëri të ditur nga burgu izraelit ku gjendet, se nuk do të pranojë të përdoret si “mall për shkëmbim” për lirimin e ushtarit izraelit, marrë peng nga militantët e Hamasit me 25 qershor.







All the contents on this site are copyrighted ©.