2006-08-07 18:03:53

E Lumja Nene Tereze, flake e dashurise:"Lutja ime per secilin prej jush"!


(7.8.06.RV)RealAudioMP3 Vijojmë me rubriken tonë të përditshme radiofonike kushtuar të Lumës Nënë Terezës në gusht, muajin e lindjes, e në shtator, muajin e kalimit të saj në amshim.
E sot e Lumja Nënë Tereze, përmes një urate të saj, që kemi shkëputur për këtë rast, na mëson si ti afrohemi Zotit duke i shërbyer të afërmit, madje të varfërve, atyre që janë të çpërfytyruar nga sëmundja, nga uria, nga mjerimi e sidomos nga menjanimi ynë. E për t’ia arritur këtij qëllimi, sipas Nënë Terezës, lypet të lutemi, të lutemi shumë e të kërkojmë ndërmjetësimin e Nënës Qiellore, Zojës së Bekuar në këtë ndërmarrje. Ja edhe lutja e të Lumës Nënë Terezës për sot me titullin:

“Lutja ime për secilin prej jush

është që ju të jeni vetëm të Jezusit nëpërmjet shën Marisë.
O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri
që të më bëjë të denjë ta marr në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua atë ashtu si e do ti
dhe t’i shërbej atij në fytyrat e çpërfytyruara të të varfërve.
O Shën Mari, Nënë e Jezusit, bëhu Nëna ime tani.
O shën Mari, Nëna e Jezusit,
më ndihmo që të jem e pastër dhe e përvuajtur si Ti,
sepse dua të jem shenjte dhe e këndshme
për Trininë Shenjte, ashtu siç ishe, siç je Ti.
T’i kërkojmë Zojës sonë të na japë zemrën e saj,
kaq të papërlyer, kaq të pastër për ta dashur Jezusin
që të bëhemi të denjë për ta marrë Jezusin
nëpërmjet bukës së jetës
dhe pamjes së çpërfytyruar të të varfërve.
(Nënë Tereza)







All the contents on this site are copyrighted ©.