2006-08-06 16:06:26

Shenjtorët e javës së ardhshme:6 deri më 12 gusht.


Sot më 6 gusht, Kisha kremtoi festën e Shndërrimit të Zotërisë Jezu Krisht. Petkat e tija u bënë të bardha porsi bora (Dn 7,9-10.13-14). Në fytyrën e tij shkëlqen lavdia e Atit: Ps 96. Këtë zë, ne e kemi dëgjuar derisa zbriste nga qielli (2Pt 1,16-19). Ky është Biri im – djali i Dishirit (Mk 9,2-10).
Ngjarja kulmore e jetës publike të Jezusit është Shndërrimi, sikur se pagëzimi ishte fillimi i jetës së tij publike e të Ngjiturit në qiell, fundi.
Për besimtarët, kjo ngjarje e Shndërrimit të Jezusit është parashijimi e avancimi i Pashkëve dhe i lavdisë së jetës së amshuar.

Nesër më 7 gusht, sipas kalendarit kishtar përkujtohet Shën Siksti II-të e shokët martirë; Shën Gaetani e Anania.
Vëne në gojën time, o Zot, fjalën e vërtetë. Të uritur për dëgjim, njerëzit e ndjekin Jezusin kudo që ai shkon. Edhe me pesë bukë e dy peshqi, Jezusi arrijnë të kënaq çfarëdo nevoje materiale e shpirtërore – pohon Ungjilli i kësaj dite marrë nga Shën Mateut (Mt 4.13-21);

Të martën e ardhshme më 8 gusht, bie festa e Shën Dominikut, meshtar.
Populli ytë, o Zot, e shpall lavdinë tënde. Predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tija, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundshme të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të mërkurën më 9 gusht, Kisha përkujton Shën Tereza Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, bashkëpajtore e Evropës, shpallur nga Papa Gjon Pali II-të më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, Shën Tereza-Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer.
Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të mësuar të dialogojmë me Hebrenjë e besimtarë të feve tjera. Në të luturit së bashku të Shpirtit Shenjtë Zot, e nën frymëzimin e tij, ne e bëjmë Zotit të pranishëm në botë dhe i japim hapësirë dashurisë së tij shpëtimpruese.

Të enjten e ardhshme më 10 gusht përkujtohet Shën Lorenci, diakon e martir.
Zoti e do njeriun që dhuron me gëzim, thotë leximi i ditës marrë nga letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 9,6-10). Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon Jezusi në pjesën ungjillore të Shën Gjonit (Gjn 12,24-26). Shpirti i Zotit e sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton përkufizimet, ligjet e detyrimet që burojnë nga përgjigjjia që duhet t’i japim Zotit.

Të premten e ardhshme më 11 gusht bie festa e Shën Kjares së Asizit, virgjër, e Shën Suzanes.
Shpëtona o Zot, e dhurona jetën e vërtetë. Kur do të vijë Biri i njeriut, secili do të gjykohet sipas veprave të bëra (Dt 32,35-41). Cfarë mund të japë njeriu në këmbim të shpirtit të vet? (Mt 16,24-28).
A jemi duke vepruar për të ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar atë çka në ne është e pavdekshme?
Pra, Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës.

Të Shtunën më 12 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Gjovana Françeska e Shantalit, regulltare.
“I drejti do të jetojë në saje të fesë së vet në Zotin”, pojon leximi biblik i Meshës së ditës marrë nga libri i Abakukut profet (Ab 1,12-2,4). Psalmi 9 shton: “Kush beson në ty, o Zot, do ta ketë jetën”. Pjesa ungjillore nga Shën Mateu (Mt17,14-21) thotë: nëse do të kesh fe, asgjë nuk do të jetë e pamundur”.
Shpirti Shenjtë është gjallëruesi i lirisë në kuptimin që na jepë guxim e fuqi për të zbatuar e mundësi për t’u bër atë çka jemi të thirrur prej Zotit për të qenë.







All the contents on this site are copyrighted ©.