2006-08-04 19:02:58

Lajme shoqërore-politike: 4 gusht


Situata nuk është më e qetë as në Rripin e Gazës. Natën që shkoi aviacioni izraelit kreu disa sulme gjatë të cilave u vranë 6 militantë të Hamasit. Ndërsa burimet spitalore njoftuan se në Rafah pati dy të vdekur të tjerë. Shkaku i këtij konflikti që pas atij në Liban, duket se ka dalë në plan të dytë, është rrëmbimi i një ushtari izraelit nga Hamasi më 25 qershorin e shkuar.

Po kush pëson më së shumti konfliktin e armatosur është popullsia civile. Nuk ka dyshim se ajo është padrejtësisht e përfshirë në konflikt dhe vuan nga pasojat tragjike të çdo lufte. E këtu kujtojmë edhe një herë thirrjet e vazhudeshme e të fuqishme të Papës drejtuar palëve në luftë e bashkësisë ndërkombëtare, për të ndalur menjëherë luftën e rivendosur dialogun e paqen.

Si në Liban po kështu edhe në Irak, strategjia çnjerëzore por e akullt që goditë personat e pafajshëm, e në mënyrë të veçantë fëmijët, që janë e ardhmja e njerëzimit nuk mund të justifikohet. Dje në Bagdad logjika mizore e luftës goditi më të vegjlit. Terroristët deshën qëllimisht të asgjësojnë fëmijët që, pavarësisht situatës së rëndë në Irak, zbaviteshin duke luajtur futboll. Fusha ku ata dëfreheshin zakonisht ishte minuar nga rebelët, dhe kur lojtarët e vegjël u paraqitën dje për të nisur zbavitjen e tyre të parapëlqyer, minat shpërthyen. Pati 12 të vdekur dhe 14 të plagosur, kryesisht fëmijë. Terroristët treguan kështu edhe një herë se e përçmojnë jetën.

Grupi i kontaktit për Kosovën përsëriti sot shkoqur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Ky organizëm gjithashtu u kërkoi të dyja palëve, si Prishtinës ashtu edhe Beogradit, të ulin tensionet në Kosovën veriore, disa komuna serbe të së cilës, në qershor të këtij viti, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.