2006-08-04 18:59:39

Dita e 23 e luftimeve në Liban. Deri tani lufta ka shkaktuar 900 të vrarë, 3 mijë të plagosur dhe 1 milion të shpërngulur


Sot ishte dita e 23-të e luftës në Liban. Zjarri që ka përfshirë Lindjen e Mesme dhe banorët e saj deri tani ka shkaktuar 900 viktima, tre mijë të plagosur dhe një milion të shpërngulur, sa një e katërta e krejt popullit libanez. Këto shifra u bënë të njohura nga kryeministri i Libanit Fuad Siniora në një video mesazh dërguar delegatëve të 20 vendeve islamike mbledhur në Malajzi. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët (Unhcr) ndihmat arrijnë rregullisht në qytetet kryesore libaneze por ka shumë vështirësi me fshatrat e thella, sepse nuk dihet sa fshatarë kanë arritur të largohen nga zonat e luftës dhe sa të tjerë kanë mbetur të bllokuar.

E sot Izraeli nisi një sulm të ri mbi Bejrutin duke bombarduar lagjen hezbollahe ‘Dahieh’ të qytetit por edhe duke shkatërruar urat dhe autostradat që lidhin Bejrutin me Sirinë. Aviacioni izraelit goditi gjithashtu edhe centralin elektrik kryesor të kryeqytetit. Nga këto sulme u vranë dy shtetas libanezë që po udhëtonin me makinë mbi një nga urat që u bombardua. Nga ana tjetër hezbollahët hodhën sot rreth 70 raketa mbi Izraelin verior. Vetëm në qytetin Akko, sipas burimeve zyrtare, pati shtatë të vdekur. Po ashtu dy ushtarë izraelitë u vranë në Markabe.

Në fushën e diplomacisë, u shty edhe një herë mbledhja e Këshillit të Sigurisë të OKB-së që do të vendoste për dërgimin e një force ndërkombëtare në Libanin jugor. Shkaku ishte mosmarrëveshjet që patën Parisi dhe Uashingtoni për mënyrat e arritjes së armëpushimit. Megjithatë në Pallatin e Qelqtë po punohet pa pushim për të gjetur një marrëveshje të përbashkët përsa i përket ndalimit të luftimeve, çarmatosjes së hezbollahëve, dhe arritjes së një paqeje afatgjatë. Mendohet se trupat ndërkombëtare që do të zbarkojnë në Liban do të jenë nën komandën e francezëve.

Pas kërcënimit të djeshëm të komandantit të hezbollahëve, Hassan Nasrallah, se do të godasë Tel-Avivin me raketa, shërbimet speciale izraelite po kërkojnë vendstrehimin e tij. Ndërkaq bashkia e Tel-Avivit mori masa mbrojtjeje në rastin e sulmit me raketa nga hezbollahët.







All the contents on this site are copyrighted ©.