2006-08-03 16:52:43

“E Lumja Nënë Tereze, flakë e dashurisë”.


(3.8.2006 RV)Po vijojmë rubrikën kushtuar Nënë Terezës në prag të ditëlindjes së saj të 96-të, përqëndruar kryesisht tek lutja, përmes së cilës e Lumja u bë pishtar i dashurisë.
Me kalimin e viteve, Nënë Tereza nisi t’i kushtojë një vëmendje gjithnjë më të madhe mbrojtjes së paqes dhe respektit për jetën, duke ecur në gjurmët e Shën Françeskut të Asizit. Kur kalonte rrugës, Fra Françesku përshëndeste kështu: “Zoti të dhëntë paqe”. Në epokën e tij, si në tonën, kishte shumë konflikte, shumë dhunë, e jo vetëm gjatë grindjeve ndërmjet qyteteve, por edhe gjatë kryqëzatave që niseshin për të çliruar Varrin e Krishtit. Françesku jo vetëm që i liroi anëtarët e të Tretit Urdhër nga detyrimi për të rrokur armët, por edhe ndërhyu gjallërisht në favor të paqes gjatë kryqëzatave. Në periudhën më të përgjakshme të tyre, së bashku me Fra Ndriçimin, pati guximin ta kapërcente frontin armik dhe të shkonte tek Sulltani, të cilit i foli për Krishtin. Ja lutja e Tij për paqe, nga më të dashurat për Nënë Terezën:

Më bëj, o Zot, mjet të paqës sate:
Ku ka urrejtje, të çoj dashurinë,
atje ku ka fyerje, faljen ta çoj,
ku grindje ka, të çoj bashkimin,
atje ku dyshohet, fenë unë ta çoj.
Ku ka gabim, të çoj të vërtetën,
ku vret dëshprimi, shpresën ta çoj.
Ku ka trishtim, të çoj gëzimin
E atje ku ka hije, dritën ta çoj.
Bëj, Zot, të kërkoj përherë ngushëllim,
më shumë për të tjerët, sesa për vetvete.
Të kuptoj, më shumë se të më kuptojnë,
të dua, më tepër se të më duan.
Sepse kur jep, ke marrë,
kur falë, ke gjetur përdëllim,
e atëherë kur vdes,
do të ngjallesh në amshim!







All the contents on this site are copyrighted ©.