2006-08-03 18:30:42

Lajme shoqërore-politike: 3 gusht


(03.08.2006 RV) Sot pasdite hezbollahët lëshuan rreth 160 raketa katjusha në një hark kohor prej 30 minutash, të cilat goditën qytetet e veriut të Izraelit. Nga shpërthimet u vranë 6 vetë, dy në Akrë dhe katër në Maalot. Gjithashtu pati edhe afro 10 të plagosur. Ministria a Mbrojtjes izraelite njoftoi se të gjitha viktimat ishin civile.

Po ashtu Izraeli rifilloi sot bombardimet e veta mbi Bejrut. Aviacioni goditi disa qendra zjarri të hezbollahëve, fuqia e të cilëve duket se tani është pakësuar. Në planin politik, kryeministri Ehud Olmert njoftoi se kushti kryesor i tij për tërheqjen nga Libani është ardhja e një force shumëkombëshe për të zëvëndësuar ushtarët izraelitë menjëherë sa këta të largohen, pa u krijuar hezbollahëve mundësinë të pushtojnë edhe njëherë territorin e Libanit jugor. “Duhet që këta ushtarë të kësaj force shumëkombëshe të jenë në gjendje të luftojnë kundra hezbollahëve në rast nevoje, jo si helmetat e kaltra të cilat gjenden prej vitesh në Liban por nuk qenë kurrë të afta të kundërshtojnë hezbollahët.” - tha kryeministri Olmert.

I intervistuar nga gazeta italiane “Il Corriere della Sera” mbi situatën në Lindje të Mesme, si edhe për masakrën e Kanës, ku vdiqën 54 persona, kryeministri izraelit Olmert tha se është i pikëlluar për sa ndodhi në Kanë dhe se për këtë ai dhe qeveria e tij kanë kërkuar falje publike. “Ndryshimi ndërmjet nesh dhe hezbollahëve është se kur godasim civilët ne themi se kemi dështuar në objektivat tona, ndërsa hezbollahët kanë si qëllim pikërisht të godasin civilët dhe popullsinë e pambrojtur.”

“Edhe pse zgjidhja më e mirë do të ishte zhdukja e regjimit sionist, mendoj se hëpërhë nevojitet një armëpushim.” - deklaroi presidenti iranian Ahmadinexhad në një takim udhëheqësish politikë islamikë në Malajzi. Ndërkaq ministri i jashtëm izraelit Mark Regev akuzoi Iranin dhe presidentin e tij se po përpiqen të nxisin rajonin e Lindjes së Mesme të mbështesë grupin terrorist të hezbollahëve.

E ndërsa OKB-ja po përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga kriza në Liban, situata ekonomike në vend është keqësuar mjaft. Në qytetin e Tirit, prej disa ditësh nën goditjet e aviacionit izraelit, kanë filluar të mungojnë mallrat e konsumit të përditshëm ndërmjet të cilave edhe karburantet. Mungesat kanë filluar të ndjehen edhe në Bejrut e në qytetet e tjera të përfshira në luftime.

Konflikti në Lindje të Mesme me sa duket po nxit edhe talebanët në Afganistan për aksione të reja me kamikaze kundër rendit publik dhe qeverisë së ligjshme afgane. Sot një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu në tregun e qytetit të Kandaharit duke vrarë 22 civilë, ndërmjet të cilëve edhe një ushtar kanadez. 13 të plagosurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.