2006-08-03 16:48:15

Impenjimi i Jezuitëve sot, 450 vjet pas vdekjes së Shën Injacit të Lojolës: intervistë me atë Kolvenbah.


RealAudioMP3 (3.8.2006 RV)Dy ditë pas përkujtimit të Shën Injacit të Lojolës, jezuitët kujtuan të Lumin Pietro Favre, një nga bashkëthemeluesit e Shoqërisë së Jezusit, meshtari i parë jezuit.
Lindi në Savojë në vitin 1506 e vdiq më 1547, vetëm 41 vjeç, i rraskapitur nga lodhja. Mbylli sytë pasi pati përhapur në gjithë Evropën urdhërin e ri rregulltar me një zell apostolik, që mund të krahasohet vetëm me atë të themeluesit, Shën Injacit të Lojolës, të cilin e përkujtoi të hënën e kaluar eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezuitëve, Atë- Peter Hans Kolvenbah gjatë homelisë në Kishën e Jezusit në Romë, 450 vjet pas vdekjes së Shenjtit. Po cilat janë pikat kyçe të veprimtarisë të jezuitëve sot dhe objektivat për të ardhmen? Përgjigjet vetë Atë Kolvenbah në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Dëshira e madhe për t’i ndihmuar njerëzit e nxiti Shën Injacin të themelonte apostullimin e arsimit. Por edhe ndjeshmëria e Shenjtit ndaj problemeve shoqërore përfaqëson sot një impenjim të rëndësishëm për Shoqërinë e Jezuitëve. Jemi përpjekur gjithnjë të gjejmë çdo rrugë të mundshme për të dëshmuar dashurinë e Zotit. Sigurisht që 450 vjet pas vdekjes së Injacit bota ka ndryshuar, por problemet e nevojat kryesore të njeriut janë po ato. Ja pse nuk të çuditë fakti se Shoqëria e Jezusit vijon të impenjohet edhe sot në të njëjtat fusha, në të cilat impenjohej në kohën e Shën Injacit. Kështu apostullimi i shkollimit është ende sot një nga fushat më të rëndësishme të impenjimit tonë. Ndërsa veprimtaria plot gjallëri në ndihmë të të varfërve e të braktisurve, vijon të jetë detyrë e sfidë e vazhdueshme e Shoqërisë së Jezuitëve. Duhet të kërkojmë, pa u lodhur kurrë, çdo rrugë që na ndihmon ta dëshmojmë në mënyrë të besueshme dashurinë e Zotit permes impenjimit tonë në mbrojtje të drejtësisë. Veprimtaria misionare, për të cilën Françesk Saveri u nis drejt Indisë, është ende një fushë e gjërë veprimi, në të cilën Urdhëri dëshiron të realizojë karizmën e vet. E përsa i takon jezuitëve aktivë në tokat e misionit, Shoqëria e Jezusit është urdhëri më i madh misionar.

Pyetje: - Në cilat vende të botës, keni arritur më shumë rezultate, kryesisht përsa i përket shtrirjes dhe rritjes shpirtërore?
 
Përgjigje: - Sot në Shoqërinë e Jezuitëve kemi akoma 897 rishtarë, e për këtë jemi thellësisht mirënjohës. Por shifrat që kanë të bëjnë me rritjen në vende të ndryshme, varen nga shumë faktorë, të cilët pjesërisht janë fetarë e pjesërisht shoqëror. Është e natyrshme që një shoqëri e vjetër, me pak të rinj, të prodhojë, në kuptimin numerik, më pak thirrje për rrugën tonë rregulltare, sesa një shoqëri në të cilën mosha mesatare e popullsisë është nën 30 vjeç. Duke e parë fenomenin në gjithë shtrirjen e e vet, mund të themi se provincat jezuite indiane e afrikane kanë sigurisht një rritje më të madhe numerike. Për numër të madh thirrjesh rregulltare shquhen sidomos Indonezia, Filipinet, Koreja e, vitet e fundit, edhe Vietnami. Përsa i përket Evropës, vendi ku ka më shumë thirrje është Portugalia, pasuar nga dy provincat jezuite polake.
 
Pyetje: - Cilat janë veprimtaritë më të rëndësishme që po organizoni gjatë këtij viti jubilar?

Përgjigje: - Veprimtaritë ndryshojnë sipas natyrës së provincave. Po organizohen shtegtime e veprimtari kulturore, takime shkencore mbi historinë dhe përshpirtërinë e Shoqërisë së Jezuitëve, koncerte me muzikë realizuar nga jezuitët e Paraguajt, ekspozita e ushtrime shpirtërore në gjurmët e Shën Injacit, botime e kremtime eukaristike, por edhe veprimtari sportive për nxënësit tanë, si këtu, në Itali. Përkrah këtyre veprimtarive që kanë të bëjnë me jetën e jashtme, në këtë vit jubilar po kujdesemi posaçërisht për risimin shpirtëror të jezuitëve dhe të mbarë familjes injaciane. Për këtë qëllim janë organizuar takime mbi ushtrimet shpirtërore e mbi rregullin, ushtrime shpirtërore të praktikuara së bashku dhe veçime shpirtërore. Është për t’u kujtuar Mesha e 22 prillit në Bazilikën e Shën Pjetrit, me të cilën kremtuam jubileun tonë së bashku me Atin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.