Ndërsa afrohet 96-vjetori i lindjes të së Lumes Nënë Terezë, sot u mbushën 87 vjet
nga vdekja e Kolë Bojaxhiut, babait të saj fatlum.
(2.8.2006 RV) Kolë Bojaxhiu vdiq e u varros më 2 gusht 1919. Nuk dihet ku
pushojnë në paqe eshtrat e tij. Madje deri dje nuk i dihej as dita e vdekjes, të
cilën e bëri të njohur Albert Ramaj në një shkrim botuar në gazetën ‘Shekulli’.
Kujtojmë se Nënë Tereza kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai, që quhej Lazër, studioi
në Akademinë Ushtarake të Gracit në Austri, por për shkaqe politike emigroi qysh herët
në Itali. Kurse motra quhej Age. Më 26 shtator 1928 Ganxhja u largua nga familja
për t’u nisur drejt Dublinit. Nga kjo ditë pjestarët e familjes Bojaxhiu nuk do të
mblidheshin kurrë më të gjithë së bashku. Nga Dublini Rregulltarja shqiptare
do të nisej për në Kalkutë të Indisë ku natyrisht e merrte malli për të vetët, për
familjen që tashmë ishte shprishur. Lazri ishte në Itali, ndërsa Nënë Drandja e Agia-
në Tiranë. Shqipëria ia kishte mbyllur derën, por në Shkup mund të shkonte, ndonëse
atje e priste vetëm varri i t’et. Kur mundi të kthehej, nuk gjeti më as familje, as
shtëpi e as varr. I pakujdesur nga të afërmit e larguar prej Shkupit, varri kishte
humbur. Ndërkaq në Tiranë i vdiqën njëra pas tjetrës nënë Drandja (1971) dhe
Motra Age (1973). Nënë Tereza do ta takonte Lazrin vetëm mbas 30 vjetësh. Ndërsa
për nënën dhe motrën do të mund të thoshte një ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’ e të
derdhte dy pika lot, vetëm më 1990.