2006-08-02 17:18:45

Filloi dje përgatitja për festën e të Ngjiturit të Zojës në qiell.


(2.8.2006 RV)Kishat lindore, katolike e ortodokse, filluan dje periudhën e lutjeve dhe të agjërimit, për t'u përgatitur kështu për festën e "Fjetjes së Virgjërës Mari", të cilën Kisha bizantine e konsideron si "Pashkët e Nënës së Zotit".
Në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë në rrugën Lata, nisi oficja mariane e Paraklisis, një rit i lashtë me lutje drejtuar Nënës së Zotit. Kanë si qëllim përgatitjen shpirtërore të besimtarëve për festën, kremtuar nga mbarë Kisha universale që në lashtësi si festa më e madhe e Zojës së Bekuar. Do të ketë kremtime të përditshme mariane me lutjet karakteristike të liturgjisë bizantine, ndërsa kremtimi solemn do të mbahet natën e festës të të ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell, më 14 gusht, në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe.
Ky Solemnitet është një nga më të dashurit për devocionin popullor. Na kujton të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950.







All the contents on this site are copyrighted ©.