(1.8.2006 RV)Filloi sot një muaj i ri, që na kujton një nga figurat më të ndritura
të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: Nënë Terezën, përvjetorin
e 96-të ditëlindjes të së cilës do ta përkujtojmë së shpejti. Lindur më 26 gusht
1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, shpallur e
Lume më 19 tetor 2003, arriti cakun e fundit të jetës më 5 shtator 1997. E përmblodhi
jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane.
Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por
zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Për t'iu përgjigjur
sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, më 7 tetor
të vitit 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë; më 1963 - Vëllezërit
Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave;
më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të
Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur
për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët
e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të
cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej
me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët
Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve,
më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë,
si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje
me karizmën dhe me shpirtin e saj. Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel
për Paqen. Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron
nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të
vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të
miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke e shndërruar
kështu njeriun në flake dashurie. Prandaj e titulluam kështu rubrikën e re
kushtuar Nënë Terezës të cilën, duke pasur mirë parasysh rrethanat e këtij takimi
të shkurtër radiofonik, po e fillojmë me një lutje drejtuar Jezusit për paqen, për
ta vijuar me lutje të tjera të dashura për Nënë Terezën, disa nga të cilat të krijuara
prej saj:
Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!” “Rri me ne, mik besnik
e mbështetje e sigurtë e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës! Ti, Fjalë
e gjallë e Atit, jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë kuptimin e vërtetë
të jetës së tyre. Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun e uritur për
vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe. Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona
fjalë e gjeste paqeje: paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt; paqe për Vendet
e Lindjes së Mesme, ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë njerëzimin,
mbi të cilin varet përherë rreziku i luftërave vëllavrasëse”.