2006-08-01 17:19:14

Pas periudhës së shkurtër të pushimeve në Vale D’Aosta, nesër Benedikti XVI do të rifillojë audiencat e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.


(1.8.2006 RV) Nesër Papa do të niset nga selia verore e Kastel Gandolfos për në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ku, duke filluar nga ora 10. 00, do të mbajë katekizmin e audiencës së përgjithshme. Rikujtojmë se më 15 marsin e kaluar Ati i Shenjtë nisi një cikël të ri reflektimesh kushtuar misterit të lidhjes ndërmjet Krishtit dhe Kishës. Ndër reflektimet kryesore gjatë audiencave të kaluara, Papa u shpjegoi besimtarëve themelet e fesë, duke u treguar bukurinë e Krishtit e të Kishës e duke theksuar se ndërmjet tyre nuk ka kundërvënie:
“Është plotësisht e papajtueshme me qëllimin e Krishtit parulla që ishte në modë pak vjet më parë: ‘Jezusi po’, ‘Kisha Jo’! – tha Papa dhe theksoi: - Ky Jezus individualistik që është zgjedhur, është një Jezus i krijuar nga fantazia. Nuk mund ta kemi Jezusin pa realitetin që ka krijuar, në të cilin komunikon përmes kungimit shenjt. Ndërmjet Birit të Zotit, që u mishërua dhe Kishës së tij ekziston një bashkim i thellë, i pandarshëm, misterioz në fuqi të të cilit Krishti është i pranishëm sot në popullin e vet, e kjo prani e tij në bashkësinë ku ai na dhurohet gjithnjë, është edhe shkaku i gëzimit tonë. Po, Krishti është me ne. Mbretëria e Zotit vjen!
Këtë theksoi Benedikti XVI në katekizmin e 15 marsit të kaluar, ndërsa audiencën e 22 marsit Ati i Shenjtë ua kushtoi apostujve ‘Dëshmitarë të Jezusit deri në kufijtë më të largët të Tokës’:
“Aventura e Apostujve fillon kështu, si takim i njerëzve që ia hapin zemrën njëri-tjetrit. Nis për nxënësit njohja e drejtpërdrejtë e Mësuesit. Ata, në të vërtetë, nuk duhet të jenë lajmëtarë të një ideje, por dëshmitarë të një vetje. Para se të dërgohen për të ungjillëzuar, duhet të rrinë me Jezusin, duke krijuar me të një lidhje personale. Mbi këtë bazë, ungjillëzimi nuk do të jetë tjetër, veçse kumtim i asaj që është jetuar dhe ftesë për të hyrë në misterin e bashkimit me Krishtin: për t’u afruar e për të mësuar ku banon, për ta njohur, për ta parë e për të kuptuar, kështu, se ai është Mesia”.
Më 5 prill, pastaj, Papa u ndalua tek lidhja e ngushtë e Kishës me Shpirtin Shenjt; më 26 prill vuri theksin tek rëndësia e traditës apostolike për jetën e Kishës, më 10 maj shpjegoi pse vazhdimësia e apostujve dhe e ipeshkvijve garanton tërësinë e fesë së transmetuar nga Apostujt.
Vëmendje të posaçme i kushtoi Papa figurës së Shën Pjetrit, të parit ndërmjet Apostujve. Në audiencën e përgjithshme të 17 majit të kaluar e quajti Peshkatarin e Galilesë, simbol i një feje të guximshme e të përvuajtur, njeri që nuk i prin Jezusit sipas mendjes njerëzore, por e ndjek pas, për ta ndryshuar botën.
Ndërsa në audiencën e përgjithshme të 7 qershorit, pasi foli për vazhdimësinë apostolike dhe pohoi se paria e Pjetrit është baza e unitetit të Kishës dhe e dialogut ekumenik, i ftoi besimtarët:
“Të lutemi që paria e Pjetrit, e cila u është besuar personave të varfër njerëzor, të ushtrohet gjithnjë me domethënien e zanafillës, ashtu si e deshi vetë Zoti dhe të pranohet në kuptimin e saj të vërtetë nga vëllezërit që nuk janë bashkuar ende plotësisht me ne”.
E këtë mendim Papa e ripohoi një javë më pas, duke vënë në dukje se Kisha e Romës dhe e Kostandinopojës janë vërtetë motra në saje të lidhjes vëllazërore ndërmjet Shën Pjetrit Apostull e Shën Andreut Apostull.
Audiencat e fundit, para se të shkonte për pushime në Vale D’Aosta, Papa ia kushtoi Shën Jakut të vogël Apostull, Shën Gjonit Apostull dhe vëllaut të Tij, Shën Jakut të Madh Apostull.
“Zoti – pohoi Papa në audiencën e 5 korrikut të kaluar - na ndihmoftë të ulemi në shkollën e Shën Gjonit për të nxënë mësimin e madh të dashurisë, që kështu ta ndjejmë se Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e t’ia kushtojmë Atij gjithë jetën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.