2006-08-01 17:37:28

Lajme shoqërore-politike: 1 gusht


(01.08.2006 R.V.) Për shkak të një hemorragjie të brendshme udhëheqësi komunist i Kubës Fidel Kastro i kaloi përkohësisht pushtetin vëllait të vet Raulit. Nga viti 1959 kur mori pushtetin, Kastroja nuk e ka lëshuar kurrë karrigen e presidentit, atë të ministrit të mbrojtjes dhe atë të sekretarit të parë të partisë komuniste kubane. Me të marrë lajmin se udhëheqësi Kastro është në spital, me mijëra mërgimtarë kubanë, opozitarë të regjimit kastrist dolën në rrugë, në Majami të SHBA-ës, për të festuar.


Në Irak edhe paraditja e sotshme u përgjak nga atentatet që shkaktuan gati 50 të vrarë. Atentati më i tmerrshëm ishte ai në qytetin Baizhi, ku humbën jetën 23 ushtarë irakianë. Gjithashtu 14 persona vdiqën nga një autobombë në qendër të Bagdadit, ndërsa në Basorë terroristët vranë një ushtar britanik.


Pas ultimatumit të djeshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhënë Iranit për pezullimin e programit bërthamor deri më 31 gusht, presidenti Ahmadinexhad reagoi duke deklaruar se kjo rezolutë “nuk ka asnjë vlerë”. Ndërsa presidenti amerikan Xhorxh Bush e ftoi Teheranin t’ua vërë veshin vendimeve të këtij organizmi ndërkombëtar.


Katër ministra të qeverisë somaleze dhanë sot dorëheqjen duke e vështirësuar edhe më tepër pozitën e udhëheqjes politike në vend. Vetëm para dy ditësh parlamenti kapërceu me sukses një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Ali Gedi, i akuzuar si shumë i rreptë ndaj Oborreve Islamike. Deri tani qeveria e kryeministrit Gedi është përpjekur të nisi negociatat me Oborret islamike por pa rezultat.







All the contents on this site are copyrighted ©.