2006-07-31 18:24:57

Në emër të Zotit, lëshoni armët: në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme.


RealAudioMP3 (31.7.06 RV)Në emër të Zotit, ulni armët: në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, u kërkoi besimtarëve të luten vazhdimisht për përfundimin e konfliktit dhe kërkoi ndërmejtësimin e Marisë, Mbretëreshës së Paqes.
Të ulen menjëherë armët e të fillojë me guxim impenjimi për të siguruar paqen: në Lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot në selinë verore të Kastel Gandolfos, pas periudhës së pushimit në Vale D’Aosta, Benedikti XVI bëri një thirrje të re të fuqishme për përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Ati i Shenjtë ripohoi se rruga e dialogut është e vetmja që mund e duhet ndjekur për sigurimin e bashkëjetesës së qëndrueshme e afatgjatë ndërmjet popujve. Thirrja e Papës u prit me entuziazëm nga besimtarët e mbledhur në oborrin e Kastel Gandolfos, të cilët iu përgjigjen me britmën e njëzëshme: “Paqe! Paqe!”

Në emër të Zotit, ulni armët!”: është britmë e ngarkuar me dhimbje, thirrja e Benediktit XVI për paqen në Lindjen e Mesme. Papa vuan bashkë me popujt e tronditur thellë nga konflikti. E nuk është vetëm vdekja e shkatërrimi që e shqetësojnë Atin e Shenjtë: “Në zemrat e shumë njerëzve – vëren me hidhërim Papa – po shtohet urrejtja e dëshira për hakmarrje”. Këto fakte – vijon Ati i Shenjtë – tregojnë qartë se me dhunë nuk mund të zbatohet drejtësia, të krijohet një rend i ri e të ndërtohet paqja e vërtetë. E, prej këndej buron edhe britma për paqen:
“Në emër të Zotit u drejtohem të gjithë atyre, të cilët përgjigjen për këtë spirale dhune: të gjitha palët t’i ulin armët! Qeveritarëve dhe Institucioneve ndërkombëtare u kërkoj të mos kursejnë asnjë përpjekje për të arritur përfundimin e konfliktit e për t’i hapur kështu rrugën, përmes dialogut, ndërtimit të bashkëjetesës afatgjatë e të qëndrueshme ndërmjet të gjithë popujve të Lindjes së Mesme”.
Papa, pra, inkurajon të gjithë njerëzit vullnetmirë t’i dërgojnë sa më shumë ndihma humanitare popullsive të vëna në këtë provë të rëndë. E, edhe një herë, kërkon nga besimtarët të bashkohen në lutjen për paqe:
“Sidomos të vijojë t’i lartohet nga çdo zemër Zotit të mirë e të mëshirshëm, lutja plot besim që t’i japë hirin e paqes së Tij kësaj zone e mbarë botës”.
E këtë thirrje Papa ia besoi ndërmjetësimit të Marisë, Nënë e Princit të Paqes e Mbretëreshë e Paqes, që nderohet aq shumë në një pjesë të mirë të vendeve të Lindjes së Mesme ku – ripohoi Shenjtëria e Tij – shpresojmë të mbretërojë së shpejti ai pajtim, për të cilin Zoti Jezus flijoi Gjakun e tij të çmuar. Benedikti XVI e kujtoi kështu rrugën që tregon Kisha për sigurimin e paqes ndërmjet popujve:
“Më shumë se kurrë shikojmë sa profetik e njëkohësisht edhe sa realist është zëri i Kishës kur, përballë luftërave e konflikteve të të gjitha llojeve, tregon rrugën e së vërtetës, të drejtësisë, të dashurisë e të lirisë, siç na e dëshmon edhe Enciklika e pavdekshme “Pacem in terris” e të Lumit Gjoni XXIII. Në këtë rrugë duhet të ecë edhe sot njerëzimi për të siguruar paqen aq të dëshiruar”.
Para thirrjes për paqe në Lindjen e Mesme, Papa përshëndeti përzemërsisht besimtarët e mbledhur në Kastel Gandolfo ku, siç u tha vetë Ati i Shenjtë – do të qëndrojë deri në fund të verës, me një ndërprerje të shkurtër për shtegtimin apostolik në Bavari. Shenjtëria e Tij përshëndeti ipeshkvin e Albanos dhe autoritetet civile, duke i falënderuar për mikpritjen. Më pas, gjithnjë duke iu drejtuar shtegtarëve, u tha se ata kontrbuojnë për të vënë në dukje horizontin kishtar universal të takimit për lutjen mariane, edhe në atmosferën e mjedisit familjar të selisë verore papnore . Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi se këtë javë Kisha do të kremtojë disa shenjtorë të mëdhenj, duke nisur nga dita e sotme, kur filluan kremtimet për festën e Shën Injacit të Lojolës, themelues i Jezuitëve, e duke vijuar me Shën Alfons Maria de’Liguorin, themelues i Redentoristëve, që do të kremtohet nesër, më 1 gusht. Pastaj më 4 gusht do të përkujtohet Shën Gjon Maria Vianej, famullitari i Arsit, pajtori i famullitarëve. “Shembulli dhe ndërmjetësimi i këtyre dëshmitarëve të ndritshëm – uroi Papa - na ndihmoftë për të ecur përpara në rrugën e shenjtërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.