2006-07-31 18:40:24

Episkopatet e Evropës kritikojnë vendimin e Bashkimit Evropian për kërkimet shkencore mbi qelizat staminale embrionale,


RealAudioMP3 (31.7.06 RV)duke e konsideruar si etapën e parë për shkatërrimin e embrioneve. “Disfatë në përpjekjen për mbrojtjen e embrioneve” – ky është qëndrimi që mban Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (KOMECE) përballë këtij vendimi, i shprehur përmes një note të nënshkruar nga kryetari, Imzot Adrian Van Luin, ipeshkëv i Roterdamit dhe nga sekretari i përgjithshëm, Imzot Noel Treanor. Komece e quan “mashtrim” Deklaratën e përbashkët të Komisionit Evropian dhe shton se ka rrezik të kthehet në etapë paraprake për shkatërrimin e embrioneve njerëzore.
E menjëherë pas këtij qëndrimi, Konferenca Ipeshkvnore Italiane, duke shprehur mendimin e vet përmes një Komunikate e quan moralisht të papranueshëm vendimin e Bashkimit Evropian për kërkimet shkencore në fushën e qelizave staminale embrionale, duke theksuar se nuk mund të pranohet vizioni antropologjik, i cili nuk e konsideron jetën njerëzore si qëllim, por si mjet për të arritur qëllime të tjera, ndonëse fisnike, si mjekimi i sëmundjeve dhe thellimi i njohurive shkencore. Shkenca duhet t’i shërbejë njeriut e jo të shërbehet prej tij – shkruajnë prelatët – posaçërisht kur kemi të bëjmë me njeriun në gjendjen e tij më të brishtë. Kemi të bëjmë, pra, me embrionin në ditët e para të jetës së tij. Kryesia e Konferencës Ipeshkvnore Italiane u bën thirrje politikanëve të vendit ta ndalojnë, sa s’është vonë, këtë devijim etik, që e redukton embrionin njerëzor në furnizues të mundshëm materiali biologjik. Kërkon edhe që Bashkimi Evropian të mos e ndihmojë me financimet e veta, këtë atentat kundër dinjitetit të njeriut, që tradhton vlerën themelore të jetës njerëzore, pa respektimin e së cilës humbet kuptimin çdo vlerë tjetër individuale e shoqërore.
Ndërsa episkopati spanjoll kërkon të respektohet e drejta themelore e jetës që nga çastet e para të saj.
Konferenca ipeshkvnore spanjolle, në një notë, saktëson se Kisha e miraton kërkimin shkencor në favor të njeriut, por është sidomos përkrah atyre që, në emër të etikës, i denoncojnë programet shkencore, të cilat e venë në rrezik jetën njerëzore. Edhe për ipeshkvijtë spanjollë vendimi i BE-së është i papranueshëm, sepse edhe po të mos financohet shkatërrimi embrioneve, ata do të shkatërrohen se do të shkatërrohen gjatë kërkimeve shkencore, ashtu si paraqiten në vendimin e marrë nga BE-ja. Në notën përkatëse, ipeshkvijtë shprehin edhe dyshimet e tyre lidhur me diagnostikën gjenetike preimpiantacionale, që lejon të vlerësohet në se një embrion është i shëndoshë ose jo. Për ipeshkvijtë, shkatërrimi i embrioneve të sëmura është i palejueshëm e nuk mund të paraqitet si progres shkencor lindja e një fëmije, pasi është zgjedhur më parë një embrion i ashtuquajtur ‘i shëndoshë’.
 
Kryeipeshkvi i Hong Kongut, Jozef Zen Ze-Kiun kremtoi një meshë për njëmijë të rinjtë që marrin pjesë në Ditën IV aziatike të Rinisë. Hirësia e Tij falënderoi nga zemra familjet që i përbujnë.
Dita e Rinisë me temë “Rinia, shpresa e familjeve të Azisë” organizohet nga Federata e Konferencave Ipeshkvnore të Azisë.
“Kisha është familje – u tha kardinali 200 familjeve që i ofrojnë përbujtje të rinjve ardhur nga 20 kombe të ndryshme aziatike – e në saje të tolerancës reciproke dhe vullnetit të mirë ne mund të arrijmë të kuptojmë planin e Zotit për ne. Ju ftoj të jeni si Patriarka Abraham dhe t’i prisni këta të rinj sa më mirë të jetë e mundur. Kardinali, pohon agjensia AziaNjuz, nënvizoi se mikpritja është një nga virtytet karakteristike të popujve aziatikë
32 famullitë e vendit, ku po organizohet takimi i madh aziatik, kanë programuar një sërë veprimtarish, duke nisur nga ceremonia e hapjes, që u mbajt dje në Gjokej Klab të Satinit.

Dyqind vullnetarë të ACLIT ( Shoqatat Kristiane të Punëtorëve Italianë) dhe Ipsia-s (Instituti Paqe, Zhvillim, Risim i Aklit) nisen me misione për gjallërimin e pushimeve verore të të rinjve në Brazil, Palestinë, Shqipëri, Bosnjë e Kosovë. Programi–shkruan agjensia SIR, është paraqitur nga Ipsia-Acli me parullën “Të luajmë për paqen”. Flitet përgjithësisht për vazhdimësinë e nismave të filluara që vitet e kaluara. E reja e sivjetme është pikërisht udhëtimi në Brazil, ku vullnetarët italianë do të bashkëpunojnë me të rinjtë vendas. Ndërsa në Kosovë, më 20 deri më 27 shtator do të organizohet një shtegtim i madh turistik.







All the contents on this site are copyrighted ©.