2006-07-31 18:37:56

450 vjet pas vdekjes së Shën Injac Lojolës, shpirti i tij i ri, vijon t’i tërheqë njerëzit tek Zoti.


RealAudioMP3 (31.7.06 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Injac Lojolën..Festa kremtohet sidomos në Spanjë, vendlindje e Shenjtit.
Ishte mëngjesi i 31 korrikut të vitit 1556 kur, pas një nate plot vuajtje, Injaci i Lojolës vdiste në Romë në moshën 65 vjeçare, i shoqëruar nga bekimi i Papës Pali IV.
E pikërisht për të përkujtuar këtë ngjarje, që ka ndodhur 450 vjet më parë, në Kishën e Jezusit në Romë sot u kremtua një Meshë solemne, e kryesuar nga Eprori i përgjithshëm i Etërve Jezuitë, Atë Peter-Hans-Kolvenbah. Me këtë rast u ekspozua edhe relikja me disa nga eshtrat e kafkës së Shën Injacit. Por, si u kremtua Shenjti, posaçërisht në Lojolë? Përgjigjet, në mikrofonin e Radios sonë, jezuiti Atë Huan Miguel Arregui, epror i provinçës së Lojolës:
Përgjigje: - Festa e Shën Injacit kremtohet dy ditë me radhë. Më 31 korrik, dita kryesore e kremtimit, festohet në Azpeita, vend të cilit i përket Shenjti. Ndërsa më 1 gusht, kremtohet në Lojolë me të gjitha autoritetet. Sot besimtarët e Azpeitës morën pjesë edhe në procesionin tradicional. Ndërsa nesër, po këta besimtarë, të kryesuar nga autoritetet e vendit, do të shkojnë, gjithnjë me procesion, deri në Lojolë. Këto festime zgjasin 5 ditë.
Pyetje: - Ç’përfaqëson figura e Shën Injacit për popullin bask?Përgjigje: - Shenjti shikohet në dy mënyra. Në këndvështrimin e përshpirtërisë së Tij – e kujtojmë se në Lojolë ka një qendër shumë të rëndësishme të kësaj përshpirtërie, që vizitohet nga një shumicë njerëzish - e pastaj, në këndvështrimin e Shoqërisë së Jezuitëve. Kjo Shoqëri është shumë universale përsa i përket punës që bën, misionit edukativ dhe atij shoqëror në ndihmë të njerëzve më të varfër. Këtu Shën Injaci e Shën Françesk Saveri janë shumë pranë nesh. Përsa i përket Shën Injacit, për ne ka rëndësi të dorës së parë posaçërisht ruajtja e ushtrimeve shpirtërore në formën e tyre të zanafillës. E kur kujtojmë Shën Injacin, nuk mund të mos na vijë menjëherë ndër mend edhe Shën Françesk Saveri, i cili shquhet më shumë për impenjimin e tij misionar. Por duhet theksuar se ky impenjim misionar është i rëndësishëm sepse në bazë të tij është pikërisht përshpirtëria e Shën Injacit, e cila i jep këtij misioni një këndvështrim shumë të veçantë. “Të duam e të shërbejmë në gjithçka”- kjo është fraza më karakteristike e Shën Injacit, në të cilën ndjehet fuqimisht përshpirtëria e Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.