2006-07-28 14:36:08

Është detyrë të ndalohet menjëherë konflikti: kështu shprehet imzot Lajolo në mikrofonin e Radio Vatikanit një ditë pas Konferencës së Romës për Libanin.


(27.7.06 RV)“Ekziston plotësisht mundësia për ndalimin e menjëhershëm të konfliktit, prandaj duhet shikuar edhe si detyrë: kështu shprehet kryeipeshkvi Gjovani Lajolo, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet - në mikrofonin e Radios sonë - një ditë pas Konferencës së Romës për Libanin.
Konferenca ndërkombëtare për Libanin, mbajtur dje në Romë, shkaktoi reagime e komente nga më të ndryshmet. Nga njëra anë u vlerësua marrëveshja për krijimin e një force shumkombëshe ndërmjetësimi si dhe impenjimi për dërgimin e ndihmave humanitare; ndërsa nga ana tjetër u mbajt qëndrim kritik ndaj mosarritjes së mirëkuptimit për ndalimin e menjëhershëm të zjarrit. Në Konferencë mori pjesë edhe Selia e Shenjtë me një delegacion të kryesuar nga kryeipeshkvi Gjovani Lajolo, sekretar për marrëdhëniet me shtetet. Një ditë pas samitit të Farnezinës, Imzot Lajolo flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit - për perspektivat e paqes në Lindjen e Mesme dhe për impenjimin e palodhur të Papës e të Selisë së Shenjtë në përpjekjen për ndalimin e menjëhershëm të konfliktit:
 
Përgjigje: - Siç dihet, Selia e Shenjtë interesohet drejtpëdrejtë për paqen në Lindjen e Mesme, gjë që e ka dëshmuar në shumë raste. Dje, me ftesën e SHBA dhe të Italisë, mundi të marrë pjesë në këtë Konferencë me cilësinë e vëzhguesit; për vetë natyrën e saj, është ky funksioni me të cilin Selia e Shenjtë merr pjesë normalisht në Organizatat ndërkombëtare.

Pyetje: - Cili është vlerësimi juaj për Konferencën?

Përgjigje: - Është sigurisht pozitive që u mblodh me shpejtësi të madhe, me nismën e qeverisë italiane e që e përqëndroi vëmendjen mbi temat më urgjente të çastit.

Pyetje: -Megjithatë përfundimet, që përmblidhen në Deklratën e dy bashkëkryetarëve, sekretares së Shtetit Amerikan, Condoliza Rais dhe ministrit të jashtëm italian, Massimo D’Alema, u gjykuan si zhgënjyese. Cili është opinioni juaj për këtë?

Përgjigje: - Sigurisht opinini publik priste gjëra të mëdha, por për të ngarkuarit me këtë punë, që i njohin vështirësitë, rezultatet janë për t’u vlerësuar. Dëshiroj posaçërisht të theksoj këto arritje pozitive:
1. Faktin se vende nga anë të ndryshme të botës, nga Kanadaja në Rusi, u binden sesa shqetësuese janë ngjarjet që po ndodhin në Liban, duke afirmuar se është e nevojshme që ky vend të rifitojë sa më shpejt sovranitetin e plotë dhe u impenjuan të japin ndihmesën e tyre;
2. kërkesën për formimin e një force ndërkombëtare, nën mandatin e OKB-së, që duhet t’i mbështesë forcat e rregullta libaneze në fushën e sigurimit;
3. impenjimin për t’i dërguar ndihma të menjëhershme popullsive të Libanit dhe për ta mbështetur gjatë rindërtimit, duke thirrur një konferencë të donatorëve. Disa nga vendet pjesëmarrëse u treguan të gatshme për të dhënë menjëherë ndihma të mëdha të cilat, megjithatë, nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e vendit;
4. pozitiv është edhe impenjimi i ndërrmarrë nga pjesëmarrësit, pas mbylljes zyrtare të Konferencës, për të vijuar kontaktet e për të ndjekur nga afër zhvillimet që do të ketë ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare.

Pyetje: - Atëherë ç’e ka shkaktuar këtë përshtypje e, sidomos, këtë zhgënjim?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, fakti se nuk u arrit në kërkimin e ndalimit të menjëhershëm të konfliktit. E kjo nuk u arrit sepse disa nga vendet pjesëmarrëse mendonin se thirrja nuk do ta bënte efektin e dëshiruar, ndërsa u dukej më e arsyeshme të shprehnin impenjimin e tyre për ta arritur sa më shpejt këtë përfundim; ky impenjim u muar e shpresojmë edhe se do të mbahet. Problematik është edhe fakti se Konferenca u kufizua ta ftojë Izraelin të jetë sa më i moderuar: një ftesë e tillë mbetet disi e dyshimtë, ndërsa kujdesi për popullsinë civile të pafajshme duhet shikuar si detyrim.
Pyetje: - Cili është vlerësimi i qeverisë libaneze?

Përgjigje: - Nga njëra anë kryeministri Sinora pati mundësi të paraqiste gjithë dramaticitetin e situatës në të cilën ndodhet vendi si dhe planin e tij për kapërcimin e menjëhershëm e përfundimtar të konflktit me Izraelin; nga ana tjetër mundi të vlerësonte dhe të inkurajonte përpjekjet pozitive që po bën bashkësia ndërkombëtare për të ndihmuar popullsinë libaneze, lidhur me përfundimin e konfliktit dhe forcimin e kontrollit të qeverisë mbi të gjithë vendin. Dje kryeministri libanez kërkoi të takohej me sekretarin e Shtetit të Vatikanit dhe me mua. Vlerësoi lart impenjimin me të cilin Ati i Shenjtë, personalisht, dhe Selia e Shenjtë, ndjekin konfliktin që po trondit Libanin dhe na u lut ta vijonim këtë impenjim në mbështetje të vendit në arenën ndërkombëtare. Ai kujtoi edhe fjalët e Papës Gjon Pali II i cili e ka quajtur Libanin jo thjeshtë vend, por mesazh për të gjithë popujt, për bashkëjestesën paqësore ndërmjet feve e konfesioneve të ndryshme në një shtet të vetëm. E kjo sigurisht është thirrje historike e Libanit, që duhet të realizohet. Selia e Shenjtë do të vijojë përpjekjet me të gjitha mjetet në dispozicion, që vendi të bëhet përsëri “kopsht me lule” i Lindjes së Mesme”.

Pyetje: - Në cilësinë tuaj të vëzhguesit, a patët mundësi të ndikonit, të paktën tërthorazi, mbi punimet e Konferencës?
 
Përgjigje: - Vëzhguesi nuk ka të drejtë fjale, e prandaj edhe nuk m’u kërkua të flas. Megjithatë mendoj se prania, edhe e heshtur, e Vëzhguesit të Selisë së Shenjtë në tryezën e kryetarëve të delegacioneve, pati domethënien e vet, që përceptohej qartë.

Pyetje: - Pas kësaj Konference, cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë lidhur me këtë problem?

Përgjigje: - Selia e Shenjtë vijon të mbështesë ndalimin e menjëhershëm të konfliktit. Problemet janë të shumta dhe tepër të ndërlikuara. Prandaj edhe nuk mund të përballohen të gjitha përnjëherësh; pa harruar kuadrin e përgjithshëm dhe qëllimin kryesor, problemet duhet të zgjidhen me radhë, duke nisur nga ata që mund të zgjidhen menjëherë. Qëndrimi, sipas të cilit duhen krijuar kushtet që armëpushimi të mos shkelet përsëri, është real vetëm në dukje, sepse kushte të tilla mund e duhet të krijohen me mjete të tjera e jo me vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Papa është shumë pranë këtyre popujve, viktima të kundërvënieve të një konflikti të huaj për ta. Benedikti XVI lutet e me të, mbarë Kisha, që paqja të arrihet sot, jo nesër, Ati i Shenjtë lut Zotin e edhe udhëheqësit politikë. Papa qan me çdo nënë që vajton bijtë e vet, me çdo person që dënesë mbi të dashurit e vet të vdekur në konflikt. Prandaj mund të them se armëpushimi mund të arrihet, madje është detyrë!







All the contents on this site are copyrighted ©.