2006-07-28 17:13:29

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Nazarin, nesër, Shën Martën.


(28.7.2006 RV)Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do të thotë: "I shugurar Zotit".
Shën Nazari kumtoi Ungjillin në Itali, në Gali e në Treviri. E shoqëronte një djalë me emrin Celso. Si shpërtheu persekutimi në kohën e Dioklecianit në vitin 304 pas Krishtit, u qe prerë koka të dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak fenë e tyre në Krishtin. Më vonë Shën Ambrozi e mbarti trupin e martirit në kishën përballë Portës Romake, e cila që asokohe quhet Kisha e Shën Nazarit.

E sot nuk mund të mos përkujtojmë edhe Shën Martën, motrën e Marisë e të Lazrit, festa e së cilës do të kremtohet nesër. Banonin të tre në Betani, një fshat pranë Jeruzalemit, mbrapa Malit të Ullinjve, pak kilometra nga Qyteti Shenjt.
Duhet të ishin familje e kamur, me që qenë në gjendje t'i jepnin strehë e ushqim Jezusit me të Dymbëdhjetë Apostujt, kur këta ishin në kalim nga Galilea drejt Jeruzalemit e pastaj në ditët që i paraprinë kryqëzimit. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e vëllanë e tyre, Lazrin, të cilin edhe e ngjalli së vdekuri" . Të gjitha këto i gjejmë të shkruara nga Shën Gjoni Ungjilltar.
Festa e Shën Martës kremtohet në mënyrë të posaçme në Vatikan, ku nesër, sipas traditës së përvitshme, do të organizohet proçesioni me qirinj të ndezur nëpër rrugicat e Kopshtijeve të Vatikanit, ndër më të bukurit në botë, me pesë ndalesa, sipas pesë mistereve, duke nisur nga ikona e Zojës së Çestokovës, tek Zoja e Guadalupes, Zoja e Fatimës, Zoja e Lurdës, Zoja e Rojes e deri te Zoja e Mëshirës, pranë Kullës së Radio Vatikanit. Proçesioni do të përfundojë me himnin marian: “Të falem Mbretëreshë, Nëna e mëshirës”
Ikona e Zojës së mëshirës ndër Kopshtijet e Vatikanit u vendos me dëshirën e Papës Gjon Pali II, që nisi ta nderonte Virgjërën Mari me këtë titull që kur ishte në Vilnius e që i kujtonte edhe përfundimin e enciklikës Veritatis Splendor.
Si në vitet e kaluara, përmes Radio Vatikanit në lutjen përfundimtare do të lidhen motrat e klauzurës me besimtarët në proçesin, simbol i bashkimit në një lutje të vetme të Marive të jetës kundruese me Martat e jetës aktive, ndërmjet të cilave shumë nga ato që i shërbejë nga afër Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.