2006-07-28 18:54:44

Nuk ndalen sulmet izraelitet kundër hezbollahëve në Liban.Deri tani numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 600.


(28.7.06 R.V.) Një ditë pas përfundimit të konferencës së Romës në Liban rifilluan sulmet izraelite kundër hezbollahëve. Natën që shkoi Izraeli kreu më shumë se 60 sulme ajrore në krejt Libanin e sidomos në luginën e Bekasë. Në operacionet e fundit ushtria izraelite goditi 130 objektiva, por edhe hezbollahët u kundërpërgjigjën duke hedhur 14 katjushka mbi Galile. Deri tani numri i përgjithshëm i viktimave në Liban ka arritur në 600, ndërsa në Izrael 50.
Gjendja është shumë e nderë edhe në kufirin siriano-izraelit. Dje ushtria siriane nisi të çelë llogore përgjatë vijës kufitare me Izraelin në pritje të një sulmi të mundshëm nga ana e Izraelit, por menjëherë Tel-Avivi deklaroi se nuk ka ndërmend të sulmojë Sirinë. Ndërsa në planin politik presidenti amerikan Xhorxh Bush u shpreh kundër një paqeje të rrejshme, apo të një armëpushimi që u lejon hezbollahëve të fuqizohen. Kurse Tel-Avivi kritikoi ashpër sot helmetat e kaltra në Liban, të cilat gjatë gjithë këtyre vjetëve nuk kanë bërë asgjë për çarmatosjen e terroristëve. “Helmetat e kaltra nuk qenë në gjendje të parandalojnë sulmet kundër nesh.” - deklaroi ambasadori izraelit pranë OKB-së Dan Gillerman.


Britania e Madhe dhe SHBA-ës po diskutojnë me ngut një plan për paqen në Lindje të Mesme, të ndryshëm nga ai që Franca do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Plani anglo-amerikan parashikon dy faza: e para armëpushimin, dislokimin e një force shumëkombëshe të kufizuar në kufi, ndërsa e dyta parashikon dislokimin e një force prej rreth 10 deri 20 mijë ushtarë, që do të çarmatosin hezbollahët.
Kurse plani francez, që presidenti Shirak kërkon të votohet me urgjencë të madhe, nxit “përfundimin e menjëhershëm të dhunës”, dorëzimin e robëve një pale të tretë, nisjen e ndërmjetësimit të OKB-së për një marrëveshje përfundimtare dhe dislokimin e një force shumëkombëshe për krijimin e një brezi të butë ndërmjet Libanit dhe Izraelit në mbështetje të ushtrisë libaneze.


Irani mohoi akuzat amerikane se ka ndihmuar me armë hezbollahët. “Mbështetja jonë ka qenë shpirtërore. Sikur të kishte qenë ushtarake do ta kishim thënë. Nuk kemi çfarë të fshehim.”- deklaroi zëdhënësi i ministrit të jashtëm iranian Hamid Reza-Asefi.


Vuajtjeve të popullsisë autoktone në Liban u shtohen edhe ato të emigrantëve. Në shtetin e çedrave ka disa mijëra punëtorë ardhur nga Afrika, Azia etj, të cilët po përjetojnë gjithashtu çaste tepër kritike. Për situatën e tyre flet edhe dokumenti i hartuar nga Këshilli Papnor i Baritorisë për emigrantët dhe endacakët, bërë publik me rastin e Konferencës së Romës. Mbi këtë temë në mikrofonin e Radio Vatikanit flet sekretari i këtij dikasteri vatikanas, kryeipeshkvi Agostino Marchetto:




Përgjigje: Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen për gjendjen e mijëra punëtorëve emigrantë, të zënë ngushtë nga lufta. Vëmendja jonë përqëndrohet pikërisht tek ata që vijnë nga vendet e Afrikës dhe Azisë dhe që janë më të braktisurit. Në Liban ka pastaj edhe afro 20 mijë sudanezë dhe irakianë që kanë marrë strehim në këtë vend dhe që tani po përballen me pasojat e konfliktit. I kemi bërë thirrje edhe Sirisë që të lehtësojë procedurat e hyrjes qoftë për libanezët, qoftë për emigrantët dhe refugjatët. Është pastaj edhe çështja e madhe e palestinezëve. Janë realitete të ndryshme që duhen analizuar së bashku, veçanërisht nëse kemi parasysh se palestinezët janë tani për tani, pak a shumë rreth 10 përqind e popullsisë së Libanit.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha priti sot në Tiranë nënsekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë Famiano Crucianelli-n. Në takim, i cili zgjati më shumë nga parashikimet, kryeministri Berisha kërkoi me forcë bashkëpunim ekonomik me Italinë si edhe luftë të përbashkët kundër kriminalitetit të organizuar. Po ashtu Berisha përsëriti kërkesën që Italia të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian dhe në arritjen e standardeve.


Përsëri gjakderdhje në Irak, ku të paktën 17 persona mbetën të pranë në atentate të ndryshme. Ndërkaq ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld, për t’i bërë ballë situatës së rënduar, e shtyu dje edhe për 4 muaj të tjerë qëndrimin e afro 4 mijë ushtarëve amerikanë. Për t’u shënuar marrëveshja ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Bagdadit për një plan pesëvjeçar për rindërtimin e Irakut.


Edhe në Somali situata vijon të jetë e nderë. Ministri për punët kushtetuese dhe federale të qeverisë së përkohshme somaleze, Abdullah Derov Isak u vra sot në Baidoa, seli e institucioneve somaleze, pushtuar nga trupat etiopike. Po ashtu 11 ministra dhe 8 zëvendësministra dhanë dje dorëheqjen nga postet e tyre në shenjë proteste ndaj qeverisë së tanishme.


Komiteti i OKB-së për të drejtat njerëzore, i kërkoi SHBA-së “shfuqizimin e të gjitha burgosjeve sekrete”. SHBA-ës iu kërkua gjithashtu që delegatët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të vizitojnë të gjithë të burgosurit e konflikteve ushtarake.


Në mbledhjen informale të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë të OKB-së – SHBA-ës, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Kinës, së bashku me Gjermaninë u gjet një marrëveshje mbi problemin bërthamor iranian. Nëse pranohet nga Këshilli i Sigurimit atëherë marrëveshja do të mund të zbatohet qysh nga java e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.