Marrëveshje ndërmjet katolikëve, luteranëve e metodistëve mbi Doktrinën e Shfajsimit.
(27.7.06 RV)Marrëveshje historike mbi Doktrinën e Shfajsimit, nënshkruar në
Seul nga katolikët, luteranët e metodistët. Kardinali Valter Kasper e konsideron një
nga sukseset më të mëdha në rrugën e dialogut ekumenik. Mirëkuptim me vlerë historike
mbi temën teologjike, që për dhjetra vjet ka shkaktuar përçarje e njëkohësiht edhe
mbi rrugën jo të lehtë drejt bashkimit të plotë kishtar: është fjala për Doktrinën
e Shfajsimit, një nga shtyllat e Reformës luterane, kritikuar ashpër në vitin e largët
1547 nga kanunet e Konçilit të Trentit. Pas një ballafaqimi gradual, të hapur nga
Koncili II i Vatikanit, që zgjati katër dekada, të dielën e kaluar, në Seul, katolikët,
luteranët dhe metodistët nënshkruan marrëveshjen e përbashkët, të cilën të pranishmit
e përshëndetën me duartrokitje si një gur kilometrik në dialogun ekumenik. Gjatë
punimeve të Konferencës Metodiste botërore, kremtuar në Korenë e Jugut më 20 deri
më 24 korrikun e kaluar, Kisha Katolike, Federata Luterane botërore dhe Këshilli Metodist
botëror nënshkruan dokumentin i cili, sipas kardinalit Kasper, kryetar i Këshillit
Papnor për bashkimin e të krishterëve e nënshkrues për palën katolike - është “një
dhuratë e Zotit e një nga sukseset më të rëndësishme që është arritur në rrugën e
vështirë të dialogut ekumenik”. Duke cituar Benediktin XVI, kardinali Kasper e
quajti këtë hap përpara, shenjë të bashkimit të dukshëm e të plotë në fe”. Kujtojmë
se marrëveshja ndërmjet katolikëve e luteranëve mbi Doktrinën e Shfajsimit u arrit
që në vitin 1999. “Zgjërimi i kësaj marrëveshje edhe me Kishën Metodiste i hap portën
marrëdhënieve të reja ekumenike”, siç deklaroi, pas nënshkrimit, doktor George Friman,
sekretar i përgjithshëm i Këshillit Metodist botëror. Dokumenti u vlerësua shumë edhe
nga udhëheqësit e Federatës Luterane botërore. Sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate,
doktor Ishmael Noko, nënvizoi se kjo marrëveshje është një pikëmbështetje e re ekumenike
dhe uroi që tani edhe bashkësitë si dhe organizmat ndërkombëtare, si Kishat e reformuara,
Kisha anglikane ose vetë Kisha ortodokse – të mbajnë së shpejti qëndrime të ngjashme.