2006-07-27 19:35:43

Një angazhim i përbashkët për arritjen e paqes në Lindje të Mesme.


(27.7.06 R.V.)RealAudioMP3 Me këtë premtim u mbyll konferenca e djeshme ndërkombëtare në Romë për Libanin. Në takimin me gazetarët u bënë të njohura vendimet e 15 vendeve, OKB-së, BE-ian dhe Bankës Botërore. Gjatë punimeve të saj ra në sy shqetësimi i pjesëmarrësve për situatën e krijuar por edhe vendosmëria për rrugëdalje nga kriza. Por në Konferencën e Romës nuk u arritën rezultate, pasi protagonistët e konfliktit, Izraeli, Siria dhe Irani nuk morën pjesë. Në fund të konferencës Kofi Anan kërkoi që Teherani dhe Damasku të përfshihen në bisedime për paqen. Fërkime pati gjithashtu edhe ndërmjet Francës dhe SHBA-ës. Ndërsa ministri i jashtëm francez Philippe Douste-Blazy kërkoi armëpushim të menjëhershëm, sekretarja e shtetit amerikan Condoleeza Rice u shpreh për paqe të gjatë e të garantuar, anipse jo të menjëhershme. Ndërkaq në Liban vijojnë betejat. Kabineti izraelit i sigurisë njoftoi sot se do t’i kufizojë veprimet në terren dhe se do të evitojë përhapjen e konfliktit. Po ashtu gjendja e refugjatëve libanezë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi këtë temë u diskutua edhe në Konferencën e Romës dhe u gjet rruga për dërgimin e ndihmave humanitare në Libanin e jugut.


E ndërsa Lindja e Mesme po përjeton çaste tragjike, Al Kaeda del sërish në skenë. Al Zawahiri zëvendësi i Bin Ladenit kërcënoi me anë të një mesazhi video transmetuar nga Al Xhazira, se Al Kaeda do të kryejë aksione të tjera terroriste. Më pas Al Zawahiri nxiti myslimanët e gjithë botës të luftojnë e të bëhen martirë.


Në Irak një tjetër ditë e përgjakshme. Të paktën 31 vetë, ndërmjet të cilëve edhe gra e fëmijë mbetën të vrarë dhe mbi 100 u plagosën nga shpërthimi i një autobombe e disa predha mortajash në një zonë tregtare të Bagdadit. Gjithnjë në kryeqytet 4 roje sigurie u vranë me atentat para një xhamie shiite. Ndërsa vendimi i procesit gjyqësor për Sadam Hyseinin u shty për me 16 tetor.


Në seancën e sotme parlamentare presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi se gjatë takimit të Vjenës ka takuar presidentin serb Boris Tadic. “Dua t’ju informoj se gjatë drekës në Vjenë pata një takim me presidentin Tadic, të cilit i shpreha edhe një herë kërkesën tonë për pavarësi të plotë të Kosovës”- pohoi para deputetëve kosovarë z. Sejdiu.







All the contents on this site are copyrighted ©.