2006-07-26 16:16:39

Ipeshkvijtë Evropianë i thonë ‘jo’ kërkimit BE mbi staminalet.


(26.7.2006 RV)Episkopatet e Evropës kritikojnë vendimin e Bashkimit Evropian për kërkimet shkencore mbi qelizat staminale embrionale, duke e konsideruar si etapën e parë për shkatërrimin e embrioneve.
“Disfatë në përpjekjen për mbrojtjen e embrioneve” – ky është qëndrimi që mban Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (KOMECE) përballë këtij vendimi, i shprehur një notë të nënshkruar nga kryetari, Imzot Adrian Van Luin, ipeshkëv i Roterdamit dhe nga sekretari i përgjithshëm, Imzot Noel Treanor. Komece e quan “mashtrim” Deklaratën e përbashkët të Komisionit Evropian dhe shton se ka rrezik të kthehet në etapë paraprake për shkatërrimin e embrioneve njerëzore. Komisioni i Episkopateve pohon se manipulimi i embrioneve njerëzore për kërkime shkencore, ose më mirë të themi, shkatërrimi i tyre, ose kërkimi shkencor mbi qelizat staminale të siguruara nga këto embrione, nuk është i pranueshëm. Për më tepër nuk bazohet mbi një nevojë të vërtetë shkencore. E kjo sepse, sipas specialistëve, mund të arrihen rezultate shumë më të suksesshme mjekuese, në se kërkimet shkencore përqëndrohen mbi qelizat staminale të zhvilluara dhe ato të nxjerra nga litarthi kërthizor.
Prej këndej, ipeshkvijtë u bëjnë thirrje të gjithë besimtarëve katolike evropianë të jenë të vetëdijshëm për atë që po vihet në lojë në këtë sulm të ri mbi dinjitetin e njeriut. Vihet në lojë pikërisht e drejta themelore e njeriut: e drejta e pakufizuar për të jetuar që nga çasti i zënies. E këtë të drejtë e kanë edhe embrionet njerëzore, që nesër mund të jenë njerëz të gjallë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.