2006-07-26 16:10:14

Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Joakinin e Shën Anën, shenjtorë që na frymëzojnë dashurinë për gjyshërit.


RealAudioMP3 (26.7.06 RV)Pikërisht në zemër të verës, kur familjet kërkojnë vende të freskëta pranë ujërave e blerimit, për të shpëtuar nga zagushia, duke i lënë pleqtë vetëm në shtëpi, ose duke i strehuar ku të munden, bie festa e Shën Joakinit e Shën Anës, prindërve fatlumë të Zonjës së Bekuar, gjyshër të Jezu Krishtit, Pajtorë të familjeve e të gjyshërve.
Ashtu siç ka një ditë kushtuar nënave e një tjetër, baballarëve, tani ka edhe një ditë kushtuar gjyshërve. Është 2 tetori, festa e Engjëjve të Rojës, të cilëve u ngjasin aq shumë gjyshërit kur mbrojnë nipërit. Por edhe 26 korriku është ditë vërtetë e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve mirënjohjen e solidaritetin, duke nderuar kështu urtinë që buron nga vitet e nga flijimet e panumërta për bijtë.
Tradita fetare e kësaj feste na kujton se edhe në trojet shqiptare, ku nderimi ndaj të moshurave ka qenë gjithnjë i padiskutueshëm, kohët e fundit po bëhet gjithnjë më i mprehtë problemi i vetmisë së prindërve, që shikojnë me lotë në sy se si fëmijët largohen viseve të huaja, për të siguruar një jetë më të mirë. E ata mbeten me shpresën që të mos vdesin pa i parë edhe një herë bijtë ndër vatra... me dyshimin e tmerrshëm se nuk do të kthehen më ... Në sa ata vetë nuk mund të mësohen kurrsesi me kushtet e një jetese që nuk është e tyrja, me një gjuhë që s’është e tyrja, me zakone të cilave nuk janë më në gjendje t’u përshtaten për shkak të moshës. E të mendosh se janë këta prindër që i rritën fëmijët në kohët e tmerrshme të njërës nga diktaturat më të egra të shekullit të kaluar, me flijime mbinjerëzore për t’u siguruar bukë e shkollë. Këtë duhet t’u kujtojë shqiptarëve festa e sotme e Gjyshërve të shenjtë.
Por të kthehemi tek kulti i dy bashkëshortëve shenjtorë: të dhënat e para për ta i gjejmë tek Etërit e Kishës dhe tek Protoungjilli i Shën Jakut (apokrif i shekullit II). Në lindje - festa nisi të kremtohet më 25 korrik që në shekullin VI; më pas u shtri në përendim, ku u kremtua gjithnjë më 26 korrik.
Dy shenjtorët bashkëshortë nderohen nga përshpirtëria popullore edhe si pajtorë të prodhimeve të ndryshme të kopshtijeve: barishteve, frutave e sidomos hardhive, që në këtë kohë kanë aq shumë nevojë për ujë. Kur bie shi në festën e Shën Anës, përshpirtëria popullore e konsideron si dhuratë qiellore nga Pajtorët.Ikonografia i paraqet prindërit e Zojës së Bekuar me Bibël në dorë, duke i mësuar Psalmet Bijës së tyre, që ishte zgjedhur të ishte “ e bekuar mbi të gjitha gratë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.