2006-07-25 16:27:33

Prej dy javësh Benedikti XVI është në Lë Kombë. Periudhë kushtuar pushimit dhe lutjes për paqe në Lindjen e Mesme.


RealAudioMP3 (25.7.06 RV)Benedikti XVI vijon pushimet në Lë Kombë, ku do të qëndrojë edhe tri ditë. Të premten e ardhshme, sipas parashikimit, Papa do të largohet nga bjeshkët për të vijuar verimin në Kastel Gandolfo. Kanë kaluar dy javë nga fillimi i pushimeve të Papës në Vale D’ Aosta, periudhë të cilën Ati i Shenjtë ia kushtoi studimit, pushimit e sidomos, lutjes së vazhdueshme për paqen në Lindjen e Mesme. Këtë nënvizon edhe i dërguari i gazetës “Avvenire”, Salvatore Maca, i cili na flet në telefon nga Lë Kombë:
Përgjigje: - Ishte një periudhë mbi të cilën peshuan dramatikisht lajmet që arrijnë nga Lindja e Mesme; një ditë, duke takuar gazetarët, që e pyetën me se po merret, Papa u përgjigj: “Erdha për të shkruar një libër, por, si të them, më mirë të mos flas fare për të, sepse nuk e di as vetë kur do të mund ta përfundoj… Duke e lënë frazën përgjysëm, Ati i Shenjtë la të kuptohej se ka shumë mundësi ta ketë ndryshuar një pjesë të mirë të programit të parashikuar, për t’ia kushtuar vëmendjen kryesore një situate kaq dramatike. Këtë e tregon vetë fakti se, në të gjitha vendet ku ka shkuar privatisht e pastaj edhe në takimet publike gjatë Engjëllit të Tënzot, tema e Lindjes së Mesme ka qenë gjithnjë e pranishme e përherë shqetësuese.
Pyetje: - Këto ditë pushimi nuk e kanë penguar Atin e Shenjtë të takohet edhe me bashkëpunëtorë të rëndësishëm… ?Përgjigje: - Po! Të dielën e parë që kaloi këtu, arriti kardinali Poleto, kryeipeshkëv i Torinos, ndërsa dje bëri një vizitë të shkurtër kardinali Bertone, që është emëruar sekretar i ri i Shtetit të Vatikanit e që do ta fillojë zyrtarisht detyrën e re më 15 shtatorin e ardhshëm. Kardinali, që këtu ndjehet si në shtëpi të vet, sepse është salezian, e prandaj e njeh mirë vilëzën ku pushon Papa, drekoi me Atin e Shenjtë. E Benedikti XVI ka pasur takime pune edhe me drejtorin e ri të Sallës së Shtypit, Atë Lombardin… shihet qartë se Papës nuk i kanë munguar impenjimet e shqetësimet. Madje Ati i Shenjtë një ditë tha: “Pikërisht gjithë kjo bukuri që na rrethon, e bën edhe më të mprehtë vuajtjen shpirtërore për ata që ndodhen në situata tragjike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.