2006-07-25 17:57:33

Lajme shoqërore-politike: 25 korrik


(25.7.06 R.V.) Sekretarja e shtetit amerikan Condoleezza Rice u takua sot paradite në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. “Ka ardhur koha për zgjidhje përfundimtare në Lindje të Mesme”- tha Rice gjatë këtij takimi. Sipas sekretares së shtetit është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje e menjëhershme dhe jo e përkohshme. Ndërsa Olmert u shpreh se vendi i tij nuk do të ndalet dhe se sulmet kundër hezbollahëve do të vijojnë. Kryeministri izraelit theksoi se ushtria nuk lufton kundër popullit libanez por kundër guerriljes hezbollahe. Për arritjen e paqes, Rice, gjatë takimit që pati dje me kryeministrin libanez Saniora në Bejrut i kërkoi qeverisë së tij lirimin e dy pengjeve izraelite si edhe tërheqjen më në veri të hezbollahëve, kërkesa që u refuzuan. Ndërkaq luftimet në terren vazhdojnë. Sot hezbollahët goditën përsëri me raketa Haifën duke plagosur 25 vetë dhe Galilenë, ku u vra një vajzë 15-vjeçare.


Ndërsa sot pasdite sekretarja e shtetit amerikan Condoleezza Rice në vazhdim të vizitës së saj në Lindje të Mesme u ndalua në Ramallah, në Palestinë, ku takoi presidentin Abu Mazen. Tema e kryesore e bisedimeve ishte gjendja në Liban dhe në Gazë, ku sot pati pesë të vrarë.


Nesër në Romë hapet konferenca ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Mesme. E gjithë bota ka sjellur sytë nga kryeqyteti italian me shpresën se nga ky takim do të dalë marrëveshja për armëpushim. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan deklaroi se pret propozime konkrete për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Libanit. Propozimi më i fundit amerikan është që trupa turke dhe egjiptiane të dislokohen përgjatë kufirit izraelo-palestinez.


Edhe në Irak gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Sot nga atentatet pati 13 të vrarë. Ndërkaq më se 30 udhëheqës shiitë, sunitë, dhe kurdë u mblodhën sot në Kajro, Egjipt për të biseduar për të ardhmen e vendit. Po ashtu pritet me padurim takimi i presidentit amerikan Xhorxh Bush me kryeministrin irakian Al Maliki në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku do të flitet për problemin irakian.


Përpjekjet të reja për zgjidhjen e konfliktit në Somali. Qeveria e përkohshme e Somalisë pranoi që me 1 ose 2 gusht të takojë në Kartum përfaqësuesit e Oborreve Islamike, që kontrollojnë Mogadishon që prej qershorit.


Asnjë marrëveshje për të ardhmen e Kosovës. Takimi i djeshëm i Vjenës ku morën pjesë udhëheqës kosovarë dhe serbë nuk pati ndonjë rezultat të veçantë. Gjithësesi u vlerësua si një fillim i suksesshëm për të dyja palët, që ngulën këmbë në qëndrimet e tyre të mëparshme: shqiptarët për pavarësi të Kosovës ndërsa serbët për mosndarje nga Beogradi.







All the contents on this site are copyrighted ©.