2006-07-25 16:27:44

Kardinali Sodano shpreson të arrihen rezultate pozitive në Konferencën e paqes në Romë.


(25.7.06 RV) Selia e Shenjtë i kushton vëmendje jashtzakonisht të madhe takimit të rangut të lartë që do të mbahet nesër në Romë. Kështu u shpreh mbrëmë gjatë një interviste televizive, Kardinali Sodano, i cili nënvizoi se këto ditë diplomacia vatikanase është impenjuar gjallërisht, duke u lidhur me kancelaritë e shumë vendeve të interesuara. Kemi ngulur këmbë sidomos – nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit – në përpjekjen për të vënë në jetë direktivat e mëdha që na ka dhënë Papa, dmth për armëpushimin e menjëhershëm, krijimin e korridoreve humanitare që sigurojnë ndihmat për popullsitë e pambrojtura dhe fillimin e dialogut ndërmjet palëve.
Selia e Shenjtë – shpjegoi kardinali Sodano – kërkon të jetë asnjanëse, duke pasur mirë parasysh misionin e saj universal: të bashkojë mbarë njerëzimin. Rruga e qytetërimit bashkëkohor nuk është ajo e luftës; është rruga e dialogut ndërmjet palëve, rruga e mirëkuptimit.
E përsa i përket takimit të rangut të lartë që do të mbahet nesër, Hirësia e Tij përgëzoi qeverinë italiane dhe ata që kanë ndërrmarrë këtë nismë, sepse Roma është e thirrur të çojë paqen në botë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.