2006-07-24 16:44:26

“Të ndalet zjarri menjëherë.” Kjo është thirrja që Papa i drejtoi palëve në konfliktin e Lindjes së Mesme, dje gjatë ditës së veçantë të lutjes për paqe.


RealAudioMP3 (24.7.06.RV)Zoti fitoi mbi dhunën me Kryqin, me një dashuri të pa fund: janë fjalët e Benediktit XVI shqiptuar në famullinë valdostane të Remè, ku dje u gjunjëzua në lutje për paqe në Lindjen e Mesme.
Dhuna e njeriut ka një kufi: dashurinë e Krishtit. Ky është mesazhi që Benedikti XVI i drejtoi mbarë njerëzimit dje, në ditën e lutjes e të pendesës për paqen në Lindjen e Mesme. Kjo nismë, shumë e dëshiruar nga Papa, bashkoi në një përqafim vigan besimtarët e mbarë botës me popujt që vuajnë për shkak të luftës. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Lë Kombë, pasdite Papa shkoi në famullinë valdostane të Remes Sën Zhorzh, ku u gjunjëzua në lutje.
“Krishti është paqja jonë “ sepse duke vdekur në kryq, e mposhti armiqësinë e na bashkoi të gjithëve në paqen e tij”. Papa e ripohoi këtë me forcë në çastin e kësaj prove të rëndë për popujt e pafajshëm, të shtypur nën peshën e një konflikti të pamëshirë. Duke komentuar letrën e Shën Palit drejtuar Efesianëve, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin që provohet përballë dhunës, të cilën njerëzit e përdorin kundër vëllezërve të tyre:
“Ka akoma luftë ndërmjet të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve; e janë të tjerë ata që i nxisin njerëzit të luftojnë e gjithçka është ende plot me armiqësi, me dhunë. Ku është fryti i flijimit Tënd? Ku është, në histori, kjo paqe, për të cilën flet Apostulli Yt?”.
Përgjigja është: pikërisht Pajtimi i Zotit. Flijimi i tij nuk mbeti pa fryt. E këtu Papa nënvizoi realitetin e madh të bashkimit të Kishës universale. Ndërsa më pas foli për ishujt e paqes në Korpin e Krishtit. Kujtoi shenjtorët e dashurisë, që krijuan oazet e paqes së Zotit në botë. E pastaj martirët, që dhanë dëshminë e paqes e të dashurisë, e cila i vë kufi dhunës. Pikërisht kjo dashuri e pakufishme është mënyra e re që përdor Zoti për të fituar mbi dhunën e mbi të keqen:
“ Zoti fitoi mbi Kryq. Nuk fitoi me një perandori të re, nuk përdori një forcë më të madhe se të kundërshtarit, për të ngadhënjyer mbi të; fitoi në një mënyrë që nuk është njerëzore, si e përfytyrojnë ne, me një perandori më të fortë se të gjitha të tjerat. Fitoi me dashurinë deri në vdekje. Kjo është mënyra e re e fitores së Zotit: dhunës nuk i kundërvë një dhunë më të fortë. Dhunës i vë përballë të kundërtën: dashurinë deri në fund të fundit, Kryqin e Tij”.
Duhe t’ia besojmë vetveten kësaj dashurie hyjnore – u tha Papa besimtarëve të gjunjëzuar në lutje bashkë me të në famullinë e vogël mes malesh e në mbarë botën – e të bëhemi ndërtimtarë të paqes. E më pas shtoi: “Duhet ‘t’ia çojmë dashurinë tonë të gjithë njerëzve që vuajnë, duke e ditur mirë se Gjykatësi i Gjyqit të fundit bëhet një me të vuajturit”.
Më pas Ati i Shenjtë vuri theksin mbi rëndësisnë e zemrës së mesazhit të krishterë. Ritheksoi se Zoti është dashuri. E kjo është një e vërtetë që nuk zbehet, por vlerësohet edhe më shumë në dialog me fetë tjera:
“Sot në një botë shumkulturash e shumfesh, ka njerëz që tundohen të thonë: “Për të siguruar paqen ndërmjet feve, kulturave, është më mirë të mos flitet tepër për specifikën e Krishtërimit, dmth për Jezusin, për Kishën, për Sakramentet. Të merremi me gjërat që janë pak a shumë të përbashkëta… Por kjo nuk është e vërtetë. Pikërisht në këtë çast kemi nevojë për Fytyrën e Krishtit, për ta njohur më mirë Fytyrën e vërtetë të Zotit e për të sjellë kështu pajtim e dritë në këtë botë”. Njëkohësisht me dashurinë, me mesazhin e dashurisë përmes gjithçka mund të bëjmë për njerëzit që vuajnë në këtë botë – përfundoi Benedikti XVI – duhet të japim edhe dëshmi për këtë Zot, për fitoren e Zotit pikërisht në mospërdorimin e dhunës në Kryqin e Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.