Sot në ditën e uratës e të pendesës, zëri i besimtarëve të mbarë botës u bashkua me
zërin e Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot për paqe të drejtë e të qëndrueshme
në Lindjen e Mesme.
(23.7.06 RV)Zëri
i çarmatosur, por i fuqishëm i njerëzve të gjunjëzuar në mbarë botën në uratën për
paqe, u bashkua me zërin e Benediktit XVI në këtë ditë që Papa ia kushtoi lutjes e
pendesës, për t’i kërkuar Zotit hirin të heshtë menjëherë dhuna në Lindjen e Mesme
e të ngushëllohen popullsitë e vuajtura. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot nga Lë
Kombë, Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen për t’u ulur me arsye e përgjegjësi, në tryezën
e bisedimeve, që duhet të çojnë në heshtjen e armëve e në vendosjen e paqes së drejtë
e të qëndrueshme. Ditë e veçantë e sotmja për bashkësinë katolike të Lë Kombë,
ku ishin mbledhur shpirtërisht besimtarët e mbarë botës e të gjitha besimeve, për
t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Benediktit
XVI. Pas lajmeve tragjike nga fronti i Lindjes së Mesme, Ati i Shenjtë iu lut Zotit
që dëshira e shumicës së popullsive për paqe të realizohet sa më shpejt në saje të
impenjimit të atyre që përgjigjen për fatet e këtyre popujve: “Përsëris me
forcë thirrjen drejtuar palëve në konflikt, që të pushojnë menjëherë armët, të mundësohet
dërgimi i ndihmave humanitare e, me impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare, të kërkohen
rrugët për fillimin e bisedimeve. Shfrytëzoj rastin për të ripohuar të drejtën e libanezëve
për integritetin dhe sovranitetit e vendit të tyre, të drejtën e izraelitëve për të
jetuar në paqe në shtetin e tyre dhe të drejtën e palestinezëve për të pasur një
atdhe të lirë e sovran”. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi viktimat e ndeshjeve
të pamëshirshme, të cilat i dënoi përsëri, ashtu si të dielën e kaluar: “Jam
posaçërisht pranë popullsive të pambrojtura civile, të përfshira padrejtësisht në
një konflikt në të cilin janë thjeshtë viktima: pranë popullsive të Galilesë, që detyrohen
të jetojnë ndër strehime, ashtu si pranë shumicës së libanezëve, që shohin si shkatërrohet
përsëri vendi i tyre e që detyrohen të braktisin gjithçka, për të kërkuar shpëtim
gjetiu”. E edhe një thirrje tjetër për bërë çmos që të arrijnë sa më shpejt
ndihma konkrete, atje ku ndjehet më shumë nevoja e tyre: “Përsëris edhe thirrjen
drejtuar të gjitha organizatave bamirëse që të punojnë pa u kursyer, në mënyrë që
këtyre popullsive t’u arrijnë sa më shpejt ndihmat, si shprehje konkrete e solidaritetit
të përbashkët”. Më pas Papa u ndalua tek figura e Shën Marisë Madalenë,
festa e së cilës u kremtua dje nga Kisha katolike, për të kujtuar një të vërtetë themelore:
“Nxënës i Krishtit është ai që, duke provuar përvojën e ligështisë njerëzore, ka përvujtërinë
të kërkojë ndihmë”. E më pas Ati i Shenjtë foli edhe për Shën Brigjidën, që Kisha
e kremtoi sot e që është njëra nga Pajtoret e Evropës: “Erdhi nga Suedia, jetoi
në Romë, e prej këndej shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin
të gjejë paqën e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”. Së fundi, pas lutjes
së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti mijëra besimtarët që ishin mbledhur në
lendinën e Lë Kombës, para vilës ku banon Ati i Shenjtë, për lutjen mariane, pasi
kishin marrë pjesë në Meshën, kryesuar nga ipeshkvi i Aostës, imzot Gjuzepe Anfosi.
Mesha u shoqërua me këngë të kënduara për nder të Papës, nga bashkësia Valser dhe
këngëtarët e vegjël. Shenjtëria e Tij falënderoi edhe gazetarët që e kanë ndjekur
gjatë këtij pushimi të shkurtër në Vale D’Aosta, i cili do të përfundojë të enjten
e ardhshme, kur Benedikti XVI do të niset për në Kastel Gandolfo, seli verore e papëve,
ku do të kalojë pjesën tjetër të stinës së nxehtë. Sipas ndjetit të Atit të
Shenjtë, sot paradite në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan u kremtua një Meshë
shenjte për paqen në Liban, kryesuar nga ipeshkvi i nderit i maronitëve, imzot Çekrallah
Harb, së bashku me shtatë meshtarë libanezë dhe me kanonikun vatikanas, Imzot Gjuzepe
Simonaci. Veç kësaj, në të gjitha Meshët që u kremtuan sot në bazilikën e Shën
Pjetrit, iu lartua Zotit lutja për rikthimin e paqes në Liban e në të gjithë zonën
e martirizuar të Lindjes së Mesme. E me ndjetin e lutjes së Papës për paqe u bashkuan
të gjitha kishat katolike. Nga mbarë bota, një kor vigan, në të gjitha gjuhët e të
folmet, ku nuk mungoi as gjuha shqipe, u lartua drejt qiellit, duke nisur nga kishat
e Evropës, për të vijuar me faltoret e Amerikës, të Azisë e të Afrikës. Shumë ipeshkvij,
ndërmjet të cilëve prelatët e Argjentinës, të Kilit, të Venezuelës, të Italisë, Francës
e vendeve të tjera, bënë thirrje për paqe. Me korin e kishave katolike u bashkuan
edhe hebrenjtë e Romës si dhe Kishat ortodokse.