2006-07-21 18:18:25

Lajme shoqërore-politike: 21 korrik


RealAudioMP3 (21.7.06 R.V.) Në Irak gjendja vazhdon të jetë e paqëndrueshme. Sot paradite 8 irakianë, gjashtë prej të cilëve policë, humbën jetën në përpjekje me rebelët në jug të Bagdadit. Po sot një person u vra nga një bombë që shpërtheu në afërsi të një xhamie sunite në Kalis, kurse ushtria njoftoi se gjeti tre trupa të pajetë në periferi të Faluzhës dhe Kirkukut.
Në Somali situata mbetet e nderë. Oborret islamike kërcënuan se do të nisin “një luftë të shenjtë” kundër trupave etiopike që, sipas dëshmitarëve janë rreshtuar në Baidoa, seli e qeverisë së përkohëshme dhe e parlamentit të Somalisë. Ajo çka e vështirëson edhe më tepër situatën e popullsive vendase është thatësira që zgjat prej një viti.


Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe i paraqitën dje Këshillit të Sigurimit një rezolutë të re përmbi çështjen bërthamore iraniane. Dokumenti flet për “masa të përkohshme” që i paraprijnë sanksioneve të mundëshme ndërkombëtare, në rast se republika islamike nuk do t’i pezullojë programet e pasurimit të uraniumit. Nga ana tjetër Teherani përsëriti se është i hapur për bisedime.


SHBA-ës janë të gatshme të marrin pjesë në diskutime së bashkë me Korenë e Jugut, Kinën, Japoninë dhe Rusinë me qëllim që të sjellin në tavolinë të bisedimeve edhe Korenë e Veriut për negociata mbi çështjen bërthamore. Ka kohë që Korea e Veriut po i bojkoton këto negociata dhe vetëm para dy javësh hodhi disa raketa me rreze të gjatë e të mesme veprimi.


Vdiq sot në moshën 82-vjeçare Ta Mok, ish- komandant i Kmerëve të Kuq kamboxhianë. I akuzuar për genocid ndaj popullit të vet të kryer gjatë regjimit të Pol Potit, Ta Mok, i mbiquajtur “kasapi” ndërroi jetë për shkaqe natyrore në një spital të Phom Phenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.